Pacolli: Duhet reaguar ndaj shpifjeve të Martyt

Krerët e AKR-së dhe përfaqësues të partnerëve të tyre të koalicionit kanë mbajtur tubimin e parë elektoral për rivotimin e së dielës në Skenderaj. Presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli, pasi ka prezantuar shkurt programin e këtij koalicioni, për të cilin ka thënë se përfshin zgjidhje për të gjitha problemet aktuale me të cilat përballet Kosova, ka folur edhe për koalicionet e mundshme për qeverinë e ardhshme.
Pacolli ka thënë se duhet të plotësohen disa kushte që do të mundësonin zbatimin e programit ekonomik të AKR-së.
“Ne nuk luftojmë për poste, por për Kosovën, dhe jemi të gatshëm të japim kontributin tonë si pjesë e qeverisë së vendit. Kushti kryesor është hapësira e mjaftueshme e veprimit, sepse ne duam të lëmë gjurmë të veprimit tonë”, ka deklaruar Pacolli.
Në një fjalim të gjatë ai ka folur edhe për luften anti Kosovë të filluar nga Carla del Ponte e i vazhduar me raportin e Dick Martyt.
Sipas vlerësimit të tij, raporti i Dick Martyt është bazuar krejtësisht në shpifjet e del Pontes dhe ka ftuar që ndaj raportit të veprohet në mënyrë të organizuar, ndërkohë që plan veprimi të faktorëve të unifikuar kosovarë ka kërkuar edhe për veriun e Kosovës, i cili, sipas tij, duhet të shpallet zonë e lirë ekonomike.