Pacolli: Kosovë-Maqedoni: Bashkëpunimi ekonomik të rritet

Bashkëpunimi ekonomik mes Kosovës dhe Maqedonisë duhet të rritet. Kështu kanë deklaruar krerët e dy shteteve ndërsa kanë marrë pjesë në forumin e biznesit, në të cilin ishin të pranishëm biznesmenë nga të dyja vendet.
Krerët e të dy shteteve kanë konstatuar se Presidenti i Kosovës, ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit duke kërkuar nga biznesmenet që të shpeshtojnë takimet e tyre me qëllim të thellimit të bashkëpunimit ekonomik.
“Kosova dhe Maqedonia, janë dy shtete të vogla dhe është vështirë që të mbijetojnë të vetmuara” ka deklaruar Pacolli.
Presidenti i Kosovës ka theksuar se banorët e Maqedonisë dhe Kosovës duhet të kalojnë kufirin vetëm me letërnjoftime.
Ndërsa, presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov ka thënë se shpreson që numri i kompanive të cilat do të bashkëpunojne do të rritet.
“Rezultatet e deritanishme tregojnë se ka rritje në shkëmbimin tregtar mes Maqedonisë dhe Kosovës. Qeveria e Maqedonisë në vazhdimësi punon në përmirësimin e klimës së biznesit, kushtet për biznesmenet si nga vendi ashtu edhe nga jashtë. Qëllimi ynë është zhvillimi ekonomik i sektorit privat, tërheqja e investitorëve të huaj si dhe hapja e vendeve të reja të punës”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë.