E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli: Pranoi kushtet, ose largohemi nga koalicioni

Ish-presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka thënë se koalicioni për Kosovën e Re do të lëshojë qeverinë Thaçi, në qoftë se PDK-ja nuk ia krijon hapësirën e veprimit, ku përfshihet edhe programi i paraqitur prej disa pikësh. Ai, theksoi se do të mund të kërkohej edhe një mocion votëbesimi në qoftë se anashkalohet koalicioni i AKR-së.

Pacolli ka thënë se do të pranojë postin e numrit dy të qeverisë pas plotësimit të kushteve, por ky post nuk do të jetë edhe obligues për pjesëmarrje në mbledhjet e qeverisë, pasi kjo sipas tij, do të ishte humbje kohe dhe shkurtim i produktivitetit. Për herë të parë, ish-presidenti, ka bërë të ditur se dy ministrat e rinj të AKR-së do të jenë Ibrahim Makolli dhe Ibrahim Gashi, i pari si ministër i Diasporës, kurse i dyti mbetet të përcaktohet.

Gjithashtu, Pacolli, ka bërë të ditur se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kur presidenti i vendit do të zgjidhet drejtpërdrejt nga votat e qytetarit. Ai shtoi se për këtë, do të kërkojë ndihmën edhe të kryeministrit Thaçi, ndoshta duke qenë edhe kandidat i PDK-së. Pacolli ka zbuluar edhe se kryetar i AKR-së do të jetë ndonjë person tjetër, kurse vetë do të mbetet në cilësinë e liderit të koalicionit për Kosovën e Re.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›