Pacolli akuzohet se ka shkelur Kushtetutën
Nuk kane të sosur problemet për Behgjet Pacollin. Pak ditë nga zgjedhja e tij në krye të shtetit mediat në Prishtinë vazhdojnë të shkruajnë për shkelje, jo vetëm në procedurën e votimit, por tashme edhe nga vetë presidenti. Vetëm pak minuta pasi është zgjedhur president, Behgjet Pacolli akuzohet se ka shkelur Kushtetutën. Kjo, pasi në cilësinë e kreut të shtetit, ai ka votuar kabinetin qeveritar gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur të martën e kaluar. Lajmi është bërë publik nga gazeta ?Koha Ditore? në Prishtinë, ndërsa vota e tij duket se është konfirmuar për Vizion plus edhe nga sekretari i kuvendit, Ismet Krasniqi. Në bazë të raportit të shërbimit, për qeverinë e re kanë votuar të gjithë deputetet e pranishëm në sallë, gjithsej 66. Ekzekutivi i ri ka marre 65 vota, nga të cilat edhe votën e presidentit të sapozgjedhur, ndërsa kundër ka votuar deputetja serbe Rada Trajkovic. Ekspertët juridikë thonë se rasti Pacolli është i njëjtë me rastin e paraardhësit të tij, Fatmir Sejdiu, i cili në shtator të vitit të kaluar, u gjykua se kishte shkelur Kushtetutën. Ndërkohë, partia opozitare ka dërguar për shqyrtim në gjykatën e Kushtetuese procedurën e zgjedhjes së Pacollit president.
Shpërndaje