Pacolli do të marrë një çmim për paqe në Filipine

"Pacolli do ta marrë këtë çmim me motivacionin, për kontribut në ekonomi, qeverisje, dhe angazhim humanitar që nga përkujdesja për fëmijët jetim, deri te lirimi i pengjeve në Afganistan. Madje njëri prej pengjeve të liruar në vitin 2004 në Afganistan, nga ana e zotit Pacolli, ishte edhe diplomati filipinas Anglitoo Nayan, që ishte zënë peng bashkë me kosovaren Shqipe Hebibi", thuhet ne nje njoftim te zyrës se Pacollit.
Përveç zëvendëskryeministrit Pacolli, ky çmim do tu ndahet edhe James R. Mancham, ish president i Republikës së Seychelles, me motivacionin për Aftësi Politike, dhe prof. Amos C. Sawyer, ish president i Liberisë, me motivacionin Ndërtimi i paqes në Liberi dhe në kontinentin e Afrikës.
Deri më tani, çmimi “Gusi Peace Prize International”, u është ndarë 16 personaliteteve nga e tërë bota, që vijnë nga fusha të ndryshme, politika, biznesi, aktivizmi shoqëror, shkenca, letërsia, etj. Ky çmim me traditë jepet prej 12 vjetësh, dhe shënon një nga ngjarjet më të mëdha në jetën publike të Filipineve.
"Në mëngjesin e ditës së sotme, flamuri i Kosovës, i vendit nga vjen zoti Pacolli u ngrit për herë të parë në sheshin më të madh publik të Manilas, në prani të autoriteteve të larta të shtetit, kryetarit të bashkisë së Manilës, etj, në shenjë mirëseardhje për zotin Pacolli. Filipinet, një shtet prej mbi 100 milionë banorë, nuk e ka njohur ende Kosovën, ndaj ky gjest ka krijuar vëmendje të madhe publike rreth figurës së zotit Pacolli. Marrja e çmimit nuk është e vetmja arsye pse zoti Pacolli gjendet në Manila. Prej këtej ai, siç është paralajmëruar, do të ndërmarrë një turne lobimi në vendet fqinjë, si Tajlanda, Brunei, Indonezia etj", thuhet me tej ne njoftim.