Pacolli e përjashtoi Gërbeshin me autoritarizëm

“Në fakt, pritja lajmin për dorëheqjen e ministres Kusari-Lila, sepse në parti është rritur antipatia ndaj saj, pas vendimit për taksën e çimentos së importuar”, ka thënë zyrtari i AKR-së, pa dashur t’i përmendej emri, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse është frikuar të flasë publikisht nga droja se do t’i hakmerret shefi i partisë, Behgjet Pacolli, ai ka shprehur bindjen se largimi i Gërbeshit nuk është bërë mbi bazën statusore të AKR-së. “Vendimi për largimin e Gërbeshit nga AKR-ja është thënë se është mbështetur në nenet 30 dhe 31 të statutit të partisë, por e vërteta është se këto dy nene i përcaktojnë përgjegjësitë e presidentit të partisë dhe asnjëri nuk ia jep të drejtën atij ta përjashtojë dikë, pa vendosur Kryesia e partisë”, ka thënë anëtari i Kryesisë së AKR-së.
Në nenin 30 të statutit të kësaj partie shprehimisht thuhet se presidenti i AKR-së është organi individual më i lartë i partisë, i cili realizon dhe zbaton vendimet e organeve përkatëse të AKR-së.
“Por, Kryesia e as ndonjë organ tjetër nuk është mbledhur për të marrë vendim për Gërbeshin. Thjesht, presidenti ka vendosur me autoritarizëm”, ka thënë anëtari i Kryesisë së AKR-së.