E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacolli ia ndërron edhe ngjyrën Presidencës

Nga Express më 17 mars 2011 në ora 12:00

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, pos ndërrimit të mobilieve në Presidencë, ka vendosur që asaj t’ia ndërrojë edhe ngjyrën.

Por për ndërrimin e ngjyrës së Presidencës, Pacolli nuk ka vepruar si me mobiliet, për të cilat ka thënë se i ka paguar nga paratë e veta. Për ngjyrosje zyra e Presidentit ka dhënë tender në vlerë prej 7 mijë e 119 euro e 56 centë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Presidenti Pacolli duket se nuk ka mundur të punojë në objektin e ngjashëm, në të cilin kishin punuar ish-presidentët Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe u.d. i presidentit Jakup Krasniqi.

Fillimisht, Pacolli i ka ndërruar të gjitha mobilet në Presidencë, e pastaj Zyra e tij, ka dhënë një tender për: “Shërbimi i renovimit te kabinetit, për nevojat e ZPRK-së”, në vlerë prej 7 mijë e 119 euro e 56 centë.

Sekretari i Presidencës, Fahri Breznica, ka thënë për gazetën se për ndërrimin e mobilieve nuk është shpallur asnjë tender, por ato i ka sjellë vetë Pacolli. Kurse për tenderin, Breznica ka thënë se pas vlerësimit të kabinetit të presidentit është shpallur tender për shërbim të renovimit të kabinetit, konkretisht për ngjyrosjen e Presidencës.

Sipas sekretarit të Presidencës, ndërrimi i mobileve është bërë për shkak: “Jo të vjetërsisë së tyre, por sepse ato nuk i janë përshtatur organizimit të zyrës nga ana e presidentit Pacolli”.

“Meqenëse nuk ka pasur pagesa për këto pajisje, nuk është zhvilluar as procedurë e prokurimit për to, sepse ato i ka sjellë apo paguar presidenti nga fondi i tij”, ka thënë Breznica.

Ndërsa për tenderin në vlerë prej 7 mijë e 119 euro e 56 centë, Breznica ka theksuar se “kabineti i presidentit ka vlerësuar se është e nevojshme që të bëhet një ngjyrosje e objektit dhe pastaj është shpallur tenderi”.

Kontrata për renovim në kabinetin e presidentit, i është dhënë kompanisë “N.T.Sh. Redoni”, nga Vushtrria, në vlerë prej 7 mijë e 119 euro e 56 centë.

Çështja e objektit të Presidencës, konkretisht e drejta për ndryshime në të, nuk rregullohet me Ligjin për president, aty askund nuk përmendet nëse presidenti ka të drejtë apo jo që të sillet me objektin e Presidencës sikur të ishte shtëpia e tij, duke bërë ndryshime sipas dëshirës. Këtë çështje nuk ka dashur ta komentonte as sekretari i Presidencës, Fahri Breznica, as ndonjë nga këshilltarët e presidentit. (kd)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›