Zgjohu: Fushatë përndjekëse e EULEX-it

Lëvizja Qytetare "Zgjohu" ka reaguar ndaj arrestimeve të djeshme nga EULEX-i të nëntë ish-ushtarëve të UÇK-së, nën dyshimet për krime lufte, duke e quajtur "fushatë përndjekëse" të EULEX-it kundër UÇK-së. Kjo lëvizje i konsideron si të papranueshme arrestimet dhe marrjet spektakolare në pyetje të çlirimtarëve.
"Zgjohu" vlerëson se edhe pse dinjiteti i luftës së shqiptarëve është konfirmuar disa herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte si dhe nga vetë komuniteti ndërkombëtar, autoritetet e EULEX vazhdojnë të ndërmarrin hapa për ta sfiduar këtë pastërti, duke ndjekur pandershmërisht, kushtëzimet dhe udhëzimet e Beogradit.
“Fushata kundër Kosovës në këto çaste vendimtare për vendin nëpërmjet gjykimeve të Limajt dhe Haradinajt, bashkë me ato që sakrifikuan më së tepërmi për bërjen e Kosovës shtet, raporti i Dick Martyt, paralajmërimet për ndarje të vendit dhe sulme tjera ndaj shtetësisë së Kosovës, kanë për qëllim përkuljen e popullit shqiptar të Kosovës para kushtëzimeve të imponuara nga ana e Beogradit dhe të realizuara nëpërmjet misionit selektiv të EULEX-it.
Kosova dhe shqiptarët ishin viktimë e barabarësisë mesjetare serbe dhe çdo përpjekje për të barazuar viktimën më kryesin e gjenocidit në fund të shekullit XX është e dënueshme dhe e papranueshme. Sot, Kosova është shtet i njohur nga shumica dërmuese e demokracive perëndimore, të cilat duhet t’i lejojnë institucionet e vendit të marrin përgjegjësinë dhe të realizojnë sundimin e ligjit në përputhje me standardet ndërkombëtare. Injoranca institucionale e theksuar nga Ministri Bajrami, kur qeveritarët nuk e dinë së çka po ndodh në territorin e tyre dhe me ato persona që u sollën lirinë dhe ju mundësuan kolltukët, është skandaloze.
"Zgjohu" është jashtëzakonisht e shqetësuar nga mungesa e ndjeshmërisë politike të misionit të EULEX dhe injorimit që po i behët vendimeve të Gjykatave më të larta për luftën e UÇK në Kosovë, duke vazhduar në këtë mënyrë paqëndrueshmërinë e institucioneve të Kosovës dhe duke dëmtuar rëndë procesin e shtetndërtimit që po vihet në shërbim të negociatave të papranueshme me fqiun verior të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Lëvizja Qytetare ZGJOHU!