Pacolli në Tiranë: Më shumë bashkëpunim me Shqipërinë në fushën ekonomike.
Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar paraditen e sotme një vizitë në Tiranë. Në një takim me presidentin Bamir Topi, Pacolli u shpreh se Jam i emocionuar që vizitën e parë e bëj në Shqipëri tek shteti mëmë, tek miku im, dhe kjo do të thotë shumë për mua. Jam i betuar që të punoj për Kosovën dhe qytetarin e Kosovës dhe kombin tim.
Gjithashtu Pacolli është ndalur edhe tek negociatat mes Serbisë dhe Kosovës duke shtuar se Kosova ka filluar bisedime me Serbinë shumë të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kosova nuk mund të ketë 60 përqind të kufijve të saj të mbyllur prandaj ajo ka nevojë për bisedime me fqinjët tanë të veriut sepse humbësi më i madh ka qenë Kosova kur serbët u larguan dhe prishën dhe plaçkitën vendin dhe jemi ne që kërkojmë llogari nga ata. Është e mbrapsht ideja që të mos bisedohet. Kur armët pushojnë atëherë duhet të bisedohet. Asnjëherë nuk do të bisedohet për integritetin dhe kufijtë tanë. Çdo gjë tjetër që diskutohet është shumë e rëndësishme për vendin, tha Pacolli.
Ndërkohë, presidenti Bamir Topi theksoi se Shqipëria dhe Kosova do të jenë bashkë në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Jam i bindur që bashkëpunimi ynë do të bëjë të mundur që Kosova të ketë reputacion të ri në të gjitha përpjekjet e përbashkëta dhe që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete. Shqipëria e Kosova do të jenë bashkë në një të ardhme, si pjesë e Bashkimit Evropian, tha Topi.