Pacolli paralajmëron ikjen nga qeveria?

Përmes deklaratave kritike ndaj Qeverisë, duket se po paralajmëron daljen në opozitë. Behgjet Pacolli po vazhdon të lëshojë akuza në drejtim të Qeverisë, pjesë e së cilës u bë në dimrin e vitit 2011. Përpos akuzave se edhe për një letërnjoftim duhet të korruptohesh, Pacolli herën e fundit ka thënë se qeveria po i mashtron qytetarët.
Por, a është ky hapi i njëjtë si i LDK-së, kur e kishte braktisur qeverinë në tetor të vitit 2010 dhe kishte kaluar në anën e opozitës?
Zyrtarët e AKR-së nuk kanë dhënë përgjigje nëse kreu i tyre po përgatitet për ri-pozicionim në skenën politike.
“Nuk mund të komentoj deklaratat e z. Pacollit. Është mirë drejtpërdrejt prej tij të merren qëndrimet e tij. Çfarëdo që të them mund të gaboj, sepse nuk mund t’i interpretoj deklaratat e tij”, ka thënë Ibrahim Makolli, zyrtar i lartë i kësaj partie dhe njëherësh Ministër i Diasporës.
Qëndrimet e Pacollit nuk janë komentuar as në PDK.
“Nuk mund të komentoj bash kurrgjë”, ka thënë nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi për gazetën Express të premten.
Zyrtarët e AKR-së kanë paralajmëruar për ndryshime në Qeveri qe shumë kohë, por kjo nuk ka ndodhur, pasi kryeministri Thaçi ende nuk ka bërë asnjë hap drejt riformatimit të kabinetit qeveritar./Indeksonline/