E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSPK-ja me trupë drejtuese

Nga Express më 22 qershor 2011 në ora 19:23

Pjesa e delegatëve të BSPK-së, të cilët në Kongresin e Pestë Zgjedhor morën vendim për shkarkimin e Haxhi Arifit nga kreu i kësaj sindikate, kanë vazhduar pjesën e mbetur të atij kongresi i cili zgjati rreth tre orë, ndërsa me vota unanime u mor vendim që të mos zgjidhet as kryetari, as ushtruesi i detyrës, por që BSPK-ja të udhëhiqet për 6 muaj nga një trupë drejtuese deri në krijimin e parakushteve për mbajtjen e kuvendit të rregullt.

Në praninë e 53 delegatëve BSPK-ja ka vazhduar të mërkurën punimet e kongresit të 19 qershorit, i cili kaloi me tensionime, me ç’rast u shkarkua kreu i kësaj sindikate Haxhi Arifi, i cili nuk ka pranuar shkarkimin.

Përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të administratës publike, Ndue Kalaj, i cili nuk deshi të bëhej pjesë e grupit të delegatëve thirri për unitet të BSPK-së, duke theksuar se vazhdimi i kongresit nuk përkon me rregullat, ndërsa për shkak të kësaj sipas tij janë krijuar kushtet për thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm.

“Konsiderojmë sot se thirrja në këtë mënyrë e vazhdimit të këtij kongresi për sindikatën tonë nuk është në mënyrën sipas rregullave që parashihen dhe ne këtë mënyrë nuk e konsiderojmë se është tipike legjitime. Për këtë arsye Sindikata e administratës publike pas konsultimeve që i kemi pasur konsiderojmë se nga kjo zgjidhje mund të zgjidhet duke e respektuar edhe statutin pa marrë parasysh se janë krijuar kushtet që të mos jetë një kongres i rregullt ne konsiderojmë çdo mënyrë se kongres të rregullt është vështirë të vazhdohet me këtë prandaj ne konsiderojmë që ekzistojnë të gjitha parakushtet që të thirret kongresi i jashtëzakonshëm”, ka thënë Kalaj.

Por delegatët e pranishëm nuk u pajtuan me Kalajn, ndërsa kryetari i SBASHK-ut, njëherësh kandidat për kryetar të BSPK-së Ali Shabanaj iu përgjigj atij duke thënë se kryetari i deritanishëm Haxhi Arifi vetë e kishte thirrur kongresin dhe po vetë e kishte lëshuar atë.

“Kalaj e përmend kongresin e jashtëzakonshëm. Kongresi i jashtëzakonshëm mbahet në rrethana të jashtëzakonshme. Zakonisht është paraparë në momentin kur ne jemi të pakënaqur me 1\3 e delegatëve mund ta thërrasim kongresin e jashtëzakonshëm për të kërkuar përgjegjësi ose për të kërkuar një votëbesim për kryetarin aktual që është në krye të këtij institucioni për punën ose mos punën e tij. Megjithatë, kongresi kishte filluar i rregullt dhe është një nonsens në politikën e juridike dhe të organizmit të tubimeve që kryetari e thërret vetë kongresin dhe vetë e lëshon”, theksoi ai.

Pas rreth një ore pauzë e diskutime jashtë sallës ku po mbahej kongresi delegatët iu kthyen punimeve dhe morën vendim që BSPK të udhëhiqet nga trupa drejtuese e përbërë prej katër anëtarëve përfaqësues të disa sindikatave, Xhafer Xhaferit, Ali Shabanajt, Valbona Kamberit dhe Halil Berishës.

Në një prononcim për Kosovapress, kryetari i SBASHK-ut, Ali Shabanaj tha se vendimet e marra në këtë kongres të procedohen në organet përkatëse në mënyrë që Haxhi Arifajt të mos i lejohet puna në objektin e BSPK-së pasi që më nuk është përfaqësues i saj.

“Kryetari është shkarkuar nga posti i kryetarit dhe nuk kemi më çfarë të bisedojmë për të. Unë kërkova që ato vendime që janë marrë këtu të procedohen në gjykatë, të procedohen në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në policinë e Kosovës të kërkohet nga AKP-ja t’i pengohet puna atje se nuk është më përfaqësues i BSPK-së dhe të gjitha këto dëshmojnë se ai më nuk do të jetë funksionar i BSPK-së”, ka thënë Shabanaj.

Për më tepër Kongresi i pestë i BSPK-së që u mbajt të dielën u shoqërua me debate të nxehta rreth kandidimit të Ali Shabanajt për kryetar dhe rezultoi me shkarkimin e kryetarit të deritanishëm Haxhi Arifajt i cili më pas e lëshoi sallën.

Ndryshe, Haxhi Arifi e ka quajtur të paligjshëm vendimin e disa degëve sindikale të cilat në Kongresin e Pestë zgjedhor e shkarkuan nga detyra e kryetarit. Madje, Arifi dhe përkrahësit e tij, kanë akuzuar drejtuesit e sindikatës së arsimit e policisë, se janë të ndikuar nga pushtetarët dhe për atë arsye kanë tentuar të marrin vendime të tilla.

BSPK për gjashtë muaj do të udhëhiqet nga trupa drejtuese e përbërë nga katër anëtarë deri në krijimin e parakushteve për mbajtjen e një kuvendi të rregullt. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›