E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi i përgjigjet Vetëvendosjes, pa interpelancë

Nga Express më 22 qershor 2011 në ora 19:23

Atë që nuk e bëri në Kuvendin e Kosovës për shkak se kërkesa që interpelanca të mbahet të mërkurën nuk është pranuar nga Lëvizja Vetëvendosje si kërkuese e saj, kryeministri Hashim Thaçi nga mbledhja e Qeverisë së Kosovës ka folur për autostradën, duke e konsideruar të palogjikshme, që kontrata e autostradës Vërmicë-Merdare të krahasohet me kontratat lokale.

Interpelanca e paraparë për të hënën, ishte anuluar për shkak të vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, ndërkaq kryeministri Thaçi ka bërë të ditur se ai ka kërkuar që interpelanca të mbahet sot, mirëpo me një kërkesë të tillë nuk është pajtuar Lëvizja Vetëvendosje, e cila kishte paralajmëruar protestën për të mërkurën.

“Kjo interpelancë është shtyrë. Ne kemi kërkuar që të mbahet sot, por nga kërkuesit është kërkuar të shtyhet. Por ajo çka është më e rëndësishme, është që ky projekt është duke vazhduar me intensitet të lartë të punimeve, siç ishte planifikuar që në fund të tetorit të përmbyllen së punuari rreth 38 kilometra nga Vërmica deri përtej Therandës tek Qafa e Duhlës, ndërsa në shtator do të fillojë punimet seksioni i pestë devijues, nga Qafa e Duhlës në drejtim të magjistrales Prishtinë-Pejë në fshatin Arllat”, ka thënë Thaçi.

Ai ka thënë se qytetarët në këto 38 kilometra do të kenë mundësi të udhëtojnë në fund të muajit tetor, ngase mjetet janë siguruar, përkatësisht 250 milionë euro për këtë vit, ndërkaq janë duke punuar rreth 3 mijë e 100 punonjës, nga të cilët 68 për qind janë punëtorë lokalë, 40 kompani vendore janë duke punuar dhe rreth 100 kontrata janë nënshkruar nga kompanitë vendore.

“Në të njëjtën kohë, dëshiroj të theksoj se janë krejt të palogjikshme që të krahasohen kontratat e nivelit ndërkombëtar me kontratat lokale, të cilitdo shtet, përfshi edhe Kosovën. Autostrada Morinë-Merdare do të jetë e kualitetit të lartë jo vetëm në Kosovë, por edhe në gjithë rajonit e ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare dhe kemi besim të plotë se procesi do të përmbyllet në kohen e planifikuar dhe standardeve më të larta perëndimore”, është shprehur Thaçi.

Kreu i ekzekutivit të vendit i ka bërë këto komente, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje vazhdon me akuzat e saj kundër Qeverisë për hajni, sidomos me rastin e autostradës Vërmicë-Merdare.

Por këto akuza nuk i bëjnë përshtypje Qeverisë së Kosovës, përderisa ka marrë vendim për ndërtimin e autostradës tjetër Prishtinë-Han i Elezit.

Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin e projektit për ndërtimin e kësaj autostrade që lidh Kosovën me Maqedoninë, pasi që, siç ka thënë ministri i Infrastrukturës, ndërtimi i autostradës me partneritet publiko-privat nuk ka treguar rezultat të mirë, bazuar edhe në përvojat e shteteve të rajonit.

Po ashtu Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për aplikimin e normës së tatimit të Akcizës në vetura, me ç’rast zëvendësministri i Financave Ramadan Avdiu ka thënë se kjo do t’u ndihmojë qytetarëve që të kenë vetura me nivel më të lartë sigurie.

“Ne jemi të bindur se masat e propozuara janë shumë të favorshme për shtresën më të madhe të qytetarëve të Kosovës dhe do t’u mundësojë të kenë vetura me çmim më të ulët dhe me nivel më të lartë sigurie. Ne kemi vepruar sipas kërkesave ligjore, ku jemi konsultuar me Komisionin për buxhet dhe financa dhe kemi marrë pëlqimin për të propozuar ndryshimin e normës së tatimit të akcizës së veturave”, ka thënë Avdiu.

Sipas këtij vendimi, për veturat deri në 2000 kubikë norma e tatimit të akcizës do të jetë: Veturat e reja të paregjistruara do të jenë të liruara nga tatimi i akcizës, veturat deri në 8 vjet do të jenë 500 euro, 9 vjet do të jenë 700 euro, 10 vjet 800 euro, 11 vjet do të jetë 900 euro, 12 vjet 1000 euro, 13 vjet do të jetë 1100 euro.

Për veturat prej 2001 deri në 3000 kubikë norma e tatimit të akcizës do të jetë: Për veturat e reja të paregjistruara dhe ato deri në tetë vjet të amortizuara do të jetë 500 euro, 9 vjet do të jetë 700 euro, 10 vjet 900 euro, 11 vjet 110 euro, 12 vjet 1300 euro, 13 vjet 1500 euro. Për veturat me fuqi motori mbi 3000 kubikë, norma e akcizës do të jetë: Për veturat e reja të paregjistruara dhe ato deri në 8 vjet të amortizuara 1000 euro, 9 vjet 1500 euro, 10 vjet 1800 euro, 11 vjet 2100 euro, 12 vjet 240 euro dhe 12 vjet 2700 euro.

Kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar edhe propozim-vendimin për ndalimin e importit të veturave të amortizuara, propozim-vendimin për aprovimin e planit hapësinor me interes të veçantë ekonomik fusha e mihjes së re 2010-2020, propozim-vendimin për themelimin e grupit punues ndërministror për reformën e ambientit të biznesit si dhe rregulloren për organizimin e zyrave komunale për integrim evropian të përgatitur nga Ministria e Integrimeve Evropiane në pajtim me rregulloren e punës së Qeverisë. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›