Padi Alibeajt, pengoi rikthimin e pronës sonë
Letër e hapur
Familjet Frashëri dhe Jegeni i kërkojnë Prokurores së Përgjithshme të fillojë ndjekjen penale për ish-Drejtorin e Departamentit Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave (sot ministër i Drejtësisë), z. Enkelejd Alibeaj, për kryerjen e veprimeve dhe mosveprimeve të kundërligjshme, të kryera me dashje duke shpërdoruar detyrën dhe penguar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë
Unë Orhan Jegeni në emër edhe të 32 trashëgimtarëve të radhës së dytë e të tretë të trashëgimlënësve tanë, gjyshit tonë Mehmet Frashëri, të vëllait të patriotëve të shquar të Rilindjes Kombëtare Abdyl, Naim e Sami Frashëri dhe gjyshes sonë, Vesime Frashëri, të bijës së Seid Seremedin Toptani, gjithashtu patriot i shquar i Rilindjes Kombëtare.
Të ndodhur në kushtet e një dëshpërimi e zemërimi të thellë shkaktuar:
• Nga qëndrimi i vendosur i shtetit shqiptar për të na mohuar të drejtën e përdorimit të resurseve të pronave të trashëguara.
• Nga pamundësia për të gëzuar dhe mbrojtur edhe ato pak prona që i kemi disponuar apo të kthyera sipas ligjeve të shtetit postkomunist nga veprimet arbitrare të personave të inkriminuar e të lidhur në mënyrë të hapur me pothuaj të gjithë piramidën e shtetit.
• Nga gjendja e rëndë ekonomike që ka detyruar një pjesë të madhe të bashkëtrashëgimtarëve tanë të jetojnë me të ardhura që nuk mjaftojnë për të plotësuar as nevojat më minimale të jetesës e të banojnë në shtëpi të vjetra, në një kohë që në shtëpitë tona banojnë akoma nëpunës të nomenklaturës komuniste dhe me pronat tona po pasurohen të tjerë që s’kanë asnjë lidhje me to.
Vendosëm të shkruajmë këtë letër që në fakt është përsëritja e shqetësimeve tona të paraqitura në dhjetëra letra denoncuese që unë në këto 10 vjet kam shkruar për të denoncuar funksionarë të lartë shtetërorë të të gjitha rangjeve, të cilët në mënyrë të hapur, me dashje e për interesat e tyre apo të personave të tjerë duke abuzuar me pushtetin, kanë kryer veprime të kundërligjshme, veprime që kanë sjellë si pasojë shkeljen e lirive dhe të drejtave tona të ligjshme, si dhe dëme materiale e morale të konsiderueshme.
Meqenëse këto letra kanë rënë në vesh të shurdhët dhe për to në asnjë rast nuk kam marrë përgjigje,
sot vendosa të ripërsëris duke filluar me historinë e asaj që ka ndodhur me një nga pronat tona të trashëguara, histori që hedh dritë mbi mënyrat se si vepron krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe sa thellë ka depërtuar ai në gjithë hierarkinë e shtetit.
Por këtë radhë duke e bërë të njohur edhe nëpërmjet medies.
Kjo pronë e përbërë nga një truall prej 422.500 m2 e ndodhur në Kodër Kamzë e Bathore, me ardhjen e sistemit komunist në Shqipëri me dekret presidencial nr. 63 dt. 27 maj 1946, u sekuestrua pa shpërblim bashkë me inventarin e gjallë e të vdekur për krijimin e fermës bujqësore shtetërore “Ylli i Kuq”, Kamzë. Në inventarin e gjallë e të vdekur përfshiheshin: 5 shtëpi, 11 kasolle dhe stalla, bagëti dhe orendi shtëpie etj.
Mbas shembjes së komunizmit, duke besuar në premtimet e politikanëve që erdhën në pushtet se do të ndërtonin shtetin e së drejtës dhe do ndreqnin gabimet e së shkuarës dhe bazuar në dispozitat kushtetuese e ligjet e miratuara nga parlamenti pluralist post komunist, më datë 14.04.1994 kemi kërkuar nga Komisioni i Kthimit të Pronave, Tiranë për të na njohur, kthyer apo kompensuar këtë pronë të regjistruar në regjistrin hipotekor me nr. 586, dt. 18.12.1930.
Mbas kësaj kërkese Komisioni i Kthimit të Pronave, Tiranë me vendimin Nr. 720, dt. 23.09.1996 vendosi:
1. Njohjen e të drejtës së pronësisë mbi pronat e trashëgimlënëses sonë Vesime Frashëri ne trashëgimtarëve ligjorë të saj.
2. Kthimin e një trualli prej 7452 m2 që ishte i lirë.
3. Kompensimin e pjesës tjetër.
- Me marrjen e këtij vendimi, mbasi e regjistruam atë në hipotekë, ne besuam se titulli ynë i pronësisë do të mbetej i paprekur, derisa shteti të na bënte kompensimin e tij.
Në të vërtetë, pas kësaj, megjithëse sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjeve të dala prej saj shteti nuk kishte asnjë të drejtë të dispononte mbi pronat që shteti i diktaturës i kishte sekuestruar pronarëve padrejtësisht, ai është sjellë dhe vazhdon të sillet si pronar i këtyre pronave, duke i dhënë të drejtë vetes të falë, të shesë me çmime qesharak kujtdo që atij i intereson dhe të lejojë dhe inkurajojë pushtimin e këtyre tokave dhe jo vetëm kaq, por ka ndërhyrë në titullin tonë të pronësisë në favor të të tjerëve, veprime që sipas të gjitha normave juridike janë absolutisht të pavlefshme dhe nuk mund të prodhojnë asnjë pasojë juridike.
Nga verifikimet që kemi mundur t’i bëjmë atyre që i kanë pushtuar këto toka kemi evidentuar me dhjetëra emra funksionarësh të lartë shtetërorë e partiakë, familjarë e të afërm të tyre, të cilët i disponojnë sot apo i kanë shitur ose dhuruar këto prona.
Por skandali nuk mbaron këtu, ai vazhdon me historinë e asaj që ka ndodhur edhe me sipërfaqe prej 7452 m2 që përbën më pak se 2% të pronës sonë të kthyer me V. K. K. P. nr. 720, dt. 23.09.1996.
Këtë parcelë e kemi disponuar nga dt. 23.03.1996 deri më 21.01.1998, datë në të cilën na u pushtua me forcë nga gjashtë subjekte private.
Mbasi nuk gjetëm mbrojtje nga ana e organeve të shtetit, në atë kohë inekzistente, ju drejtuam gjykatës me kërkesën:
- Pushim cenim prone.
- Pezullim të punimeve të ndërtimit që subjektet filluan të bëjnë.
Kur bëmë padinë bazuar edhe në mendimin e specialistëve, ishim të bindur se procesi do të mbaronte shpejt, sepse ne legjitimoheshim si pronarë, trualli ishte i lirë dhe sipas ligjit 7698 dhe 9235 neni 8/1 të kthimit e kompensimit të pronave, pushtuesit e tokës sonë në çfarëdolloj rrethane duhej të na e lironin dhe dorëzonin truallin.
Por nuk ndodhi kështu. Ata duke abuzuar me të drejtën për të ngritur kundërpadi me anë të mashtrimit kërkuan anulimin e vendimit të K. K. Pronave, Nr. 720, dt. 23.09.1996, kundërpadi që çuditërisht gjykata e pranoi, megjithëse kundër-paditësit nuk kishin asnjë provë apo referencë ligjore.
Mbas kësaj ne u ballafaquam me gjyqtarë që haptazi bënin shkelje të rënda procedurale që zgjasnin dhe shtynin seancat pa asnjë arsye logjike dhe ligjore, që mbanin qëndrim të dukshëm në favor të të paditurve që pranonin dokumente e shkresa nga ata, që nuk plotësonin kërkesat minimale të ligjit për t’u marrë si prova në një kohë që në shumë raste zhdukeshin nga dosje dokumente shkresore që ne i kishim dorëzuar dhe më flagrantja me refuzimin e marrjes së masës sigurimit të padisë për pezullimin e ndërtimeve pa leje që një pjesë e të paditurve vazhdonin të bënin pa asnjë pengesë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.
Në këtë mënyrë ky proces gjyqësor u bë për në një kalvar të gjatë torturues e shkatërrues për ekonominë tonë të brishtë që zgjati 7 vjet e gjysmë.
Por, si çdo gjë që ka një fund dhe falë faktit që në Shqipëri jo të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar, edhe këtij procesi i erdhi fundi, kur më dt. 31.05.2005 Gjykata e Apelit Tiranë mori vendimin e formës së prerë Nr. 674, dt. 30.05.2005 në bazë të të cilit padia jonë u pranua pjesërisht.
1. U rrëzua kundërpadia që kishin bërë pushtuesit e tokës sonë për të anuluar Vend. K. K. P., Nr. 720, dt. 23.09.1996 si e pa bazuar në prova dhe në ligj.
2. Padia jonë u pranua vetëm për dy subjekte, Dragush Prespa e Hajrulla Prespa që detyroheshin të na lironin e dorëzonin respektivisht 2043 dhe 1760 m2 troje që në kohën e marrjes së vendimit ishin të lira dhe të pazëna me ndërtime.
3. Padia nuk u pranua për 4 subjekte të tjera, të cilët të favorizuar nga gjykata kishin arritur që gjatë gjykimit të stërzgjatur të çështjes të përfundonin ndërtimet pa leje e si të tilla do të legalizoheshin, sipas ligjit të legalizimeve.
Në këtë mënyrë prona jonë e kthyer u reduktua nga 7452 m2 në 3800 m2.
Për këtë vendim ne nuk bëmë rekurs e pranuam se menduam se do të çliroheshim më në fund nga gjykatat që na e kishin nxirë jetën për 7 vjet me radhë dhe se kjo tokë sado e vogël do të na jepte dorë për të larë borxhet e marra për të përballuar shpenzimet e stërmëdha të këtij procesi të gjatë gjyqësor.
Por u zhgënjyem, kur vumë re se ky vendim gjyqësor, si dhe vendimi pasues i Gjykatës së Lartë që refuzoi rekursin e bërë nga të paditurit, nuk kishte asnjë vlerë, as për pushtuesit e tokës sonë e as për institucionet që janë të obliguara me ligj për t’i zbatuar ato.
Pushtuesit e tokës sonë në vend që të na lirojnë e dorëzojnë pronën tonë, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, fillojnë të ndërtojnë mbi të një rresht me 20 dyqane njëkatëshe duke na bërë kështu një sfide të hapur, jo vetëm neve, por edhe shtetit duke konsumuar kështu përveç të tjerave edhe elementet e veprës penale të vetëgjyqësisë.
Dhe jo vetëm kaq, por këta debitorë duke kompromentuar funksionarë të lartë të pushtetit ekzekutiv dhe të Gjykatës së Shkallës së Parë deri te kabineti i kryeministrit kanë arritur që deri më sot që unë po shkruaj këtë letër, të bëjnë të mundur që ky vendim i formës së prerë të mbetet i pa-ekzekutuar.
Këta funksionarë i kam denoncuar në mënyrë të përsëritur tek eprorët e tyre të linjës deri te kryeministri dhe Presidenti i Republikës, prej të cilëve në asnjë rast nuk kam marrë asnjë përgjigje.
Të gjitha këto kanë sjelle si rezultat që sot mbas 18 vjet përpjekjesh, ne nuk mund të disponojmë, të gëzojmë në paqe asnjë pëllëmbë tokë nga 422.500 m2 që na lanë trashëgim të parët tanë dhe jo vetëm kaq, por kemi kaluar kaq shumë strese dhe kemi shpenzuar kaq shumë pará për të përballuar shpenzimet e procedurave të komplikuara e të stërzgjatura të procesit të Kthimit e kompensimit të pronave e gjyqeve që kemi qenë të detyruar të bëjmë sa fatura totale e saj ja ka kaluar vlerës sipas çmimit të kompensimit që shteti nuk do të na e kompensojë kurrë.
Gjithashtu, ne na është krijuar bindja e plotë se nga shembja e komunizmit asgjë s’ka ndryshuar për ne.
Në komunizëm ne na quanin klasa të përmbysura, na i kishin shtetëzuar pronat, por nuk kishin pasur guximin të na i çregjistronin ato, mbas shembjes së komunizmit ne i gjetëm regjistrat e hipotekës të paprekura dhe morëm vërtetimet e pronësisë, të cilat na legjitimonin ne si pronarë të ligjshëm
Në sistemin e ashtuquajtur demokratik pluralist na quajnë ish-pronarë në minorancë, humbës e të mundur me vota popullore. Nga ana tjetër shteti ka sajuar regjistra të rinj, ku pronarë të tokave tona regjistrohen të tjerë që s’kanë asnjë lidhje me to. Pa lejen tonë apo kompensimin tonë paraprak, duke realizuar kështu një shpronësim de facto që përbën shkelje të rëndë të parimeve të nenit 1 të protokollit 1 të Konventës së të Drejtave të Njeriut e të Kushtetutës shqiptare.
Shumë i nderuar lexues i vëmendshëm, kushdo qoftë shtetar, qytetar shqiptar apo i huaj që patët durimin të lexoni këtë letër, ju siguroj se këto prona më shumë se vlera materiale për ne kanë vlera historike, vlera të kujtimeve tona të fëmijërisë, vlera të kujtimeve të të parëve tanë. Vlerën e tokës ku fillon atdheu.
Të parët tanë kanë jetuar për më se 200 vjet në këto prona, gjyshi e gjyshja jonë Mehmet e Vesime Frashëri, si dhe prindërit tanë kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre në këto prona. Këtu kanë bujtur apo kaluar tranzit jo vetëm frashërllinjtë e mëdhenj që ishin aty si në shtëpinë e tyre, por edhe shumë patriotë të tjerë të Rilindjes Kombëtare e personalitete të nderuara të asaj kohe, të cilët me shkrimet e letërkëmbimet e tyre vlerësojnë lart patriotizmin e bujarinë, mikpritjen dhe bukurinë e këtyre vendeve që sot për fat të keq janë përdhosur.
Në këto prona kanë lindur katër nga tetë trashëgimtarët e radhës së tretë midis tyre edhe unë shkruesi i kësaj letre sot në moshën 73-vjeçare.
Në këtë kuptim, unë dua të shtoj se ka disa ideale të mbështetura në moralin dhe drejtësinë universale, për të cilat populli ynë ka bërë në shekuj sakrifica të mëdha, duke i dhënë frymëzim e kuptim integritetit e dinjitetit tonë kombëtar. Shuarja e këtyre idealeve do të ishte vdekje morale e shoqërisë shqiptare. Për këto ideale ne jemi të vendosur që të luftojmë dhe kemi besim se zoti e bota e qytetëruar do të na ndihmojnë.
Në vazhdën e kësaj lufte të gjendur të pambrojtur nga veprimet arbitrare të debitorëve tanë dhe funksionareve të lartë të kapur prej tyre, duke besuar tek Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, më datë 25.07.2008 kam kërkuar ndjekje penale për ish-drejtorin e Departamentit Antikorrupsion pranë kabinetit të kryeministrit, sot ministër i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, i cili për interesa të shkelësve të ligjit dhe të tijat personale, ka kryer veprime me dashje duke shpërdoruar detyrën dhe penguar ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë të gjykatës, parashikuar në nenin 248 dhe 320 të Kodit Penal.
Me këtë rast do t’i lutesha Prokurores së Përgjithshme që në qoftë se është e vërtetë se prokuroria udhëhiqet në punën e saj vetëm nga ligji dhe respekton parimin e barazisë së shtetasve para ligjit, duhet të fillojë këtë proces penal, në të kundërt duhet të më japë një shpjegim.