Rëndohet situata shëndetësore, shtrohet në spital në gjendje të rëndë Ymer Tola
Gjendja e deputetëve të ngujuar në grevë urie është rënduar. Njëri prej tyre, deputeti Ymer Tola është shtruar në spital me komplikacione të rënda shëndetësore. Ministria e Shëndetësisë thotë se dyshon se ai është me hepatit viral dhe shpreh frikën se duhet eliminuar përhapja e këtij virusi. Mjekët thonë se situata është serioze dhe për të tjerë pjesëtarë të grevës.
Ndërkohë, Sipas Sabit Brokajt, ish- zyrtar i lartë i LSI dhe mjek i njohur, jeta e deputetëve të tjerë është e kërcënuar dhe mosreagimi ndaj grevës është një akt kriminal. “Edhe ndonjë solucion që marrin është krejt i pamjaftueshëm, që të mbajë ekuilibrat fiziologjikë në organizëm. Mjaft i kërcënuar është deputeti Frrok Gjini, i cili ka ndaluar tërësisht marrjen, qoftë edhe të ujit, që nuk pranon të marrë ndihmën mjekësore. Dhe ky problem, do të thoja unë, në rastin konkret e shpejton mundësinë e një aksidenti. Përveç deputetit Spartak Braho që është diabetik, i cili është me koronare të ngushtuara, të paktën të provuar në skaner deri në 60 për qind të arteries koronare, ku kërcënohet nga lëvizjet e sheqerit në gjak, nga hipoglicemia, për të qenë i saktë nga ana mjekësore, natyrisht nga stresi, nga hipertonia, nga e cila vuan dhe mjekohet. Pra, nuk mund të pritet e të pranohet një zgjatje e një greve të tillë, e cila tashmë në aspektin mjekësor dhe njerëzor, mospërfillja dhe mosvlerësimi i kësaj greve po merr karakter kriminal. Për mua, pothuajse tani zbehet aspekti politik dhe ngrihet si dominim aspekti njerëzor. Tashmë, kërcënohet jeta e deputetëve tanë dhe kur kërcënohet jeta e deputetëve, e cilitdo njeriu, i cili është kërcënim i paralajmëruar, i njohur e i deklaruar, ata që nuk realizojnë zgjidhjen e krizës, tashmë kanë përgjegjësi. Kanë përgjegjësi, jo për një zgjidhje politike të thjeshtë, por për jetën e njerëzve. E ritheksoj edhe njëherë, që jeta e deputetëve është mjaft e kërcënuar që prej këtij momenti”, - tha dje Brokaj.