E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet, pallatet që marrin tapitë

 

ALUIZNI bën publike 32 emrat e firmave të para që kanë shlyer detyrimet financiare, sipas ligjit të legalizimeve. Këto emra, të cilat botohen të plota nga gazeta, automatikisht do të shkojnë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për t'u regjistruar. Pas shlyerjes së detyrimeve, këtyre pronarëve u lind e drejta për t'u pajisur me certifikatën e pronësisë. Në Hipotekë këta 32 pronarë firmash do të kenë dosjen e tyre të plotësuar dhe sipërfaqet e ndërtimeve që ata kanë kryer do të njihen si ndërtime të ligjshme. Kjo do t'i hapë rrugë edhe hipotekimit të apartamenteve për banorët e pallateve.
Ndërkaq, ALUIZNI ka bërë publike edhe emrat e atyre firmave apo personave që janë në proces legalizimi, pasi duhet të paguajnë sipas ligjit tarifën e shërbimit, taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe penalitetet. "ALUIZNI, për objektet e ndërtuara me leje të KRRT, por që kanë sipërfaqe shtesë apo ndryshime të funksionit të hapësirave, po realizon procedurat ligjore për legalizimin e tyre", njoftuan burimet zyrtare të ALUIZNI-t. Njëkohësisht, nga zyrat e njësive bashkiake të kryeqytetit, ALUIZNI ka tërhequr plot 5 726 dosje për shtesat e pallateve të bëra para vitit '93. Bëhet fjalë për shtesat e pallateve të vjetra, të cilat duhet të marrin tapitë për sipërfaqet e reja të ndërtuara. Shumica e tyre janë banorë pallatesh, të cilët duhet të paguajnë tarifën e legalizimit në mënyrë që brenda tapisë së apartamentit të tyre të shtohet edhe sipërfaqja shtesë. Listat janë vetëm për familjet e Tiranës në 11 minibashkitë e saj. Janë rreth 5700, dosjet e të cilëve janë bërë gati dhe ka filluar shqyrtimi i tyre në zyrat e ALUIZNI-t. Këto kanë plotësuar formularin A1 dhe pritet vetëm vendosja e aksë në mënyrë që të marrin tapitë e rregullta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›