Rriten paqartësitë për të ardhmen politike të Olmertit
Klasa politike izraelite ka filluar të përgatitet për mundësinë e një dorëheqjeje ose pezullimi të Kryeministrit Ehud Olmert, i përzierë në një "çështje" të re që po hetohet nga policia. Atmosfera e pasigurisë mbetet e pandryshuar për shkak të një black-out-i për të pestën ditë radhazi rreth dyshimeve që rëndojnë mbi Ehud Olmertin, i cili të premten u mor në pyetje nga hetuesit për një orë e gjysmë. Shumë gazeta të së dielës së kaluar i kanë bërë thirrje një gjykate të Jerusalemit ta heqë tërësisht ose pjesërisht këtë black-out. Në përgjigje të kësaj, gjykata i lejoi vetes të zbulojë vetëm që "një shtetas i huaj" ishte pyetur si dëshmitar, por nuk saktësoi identitetin e tij. Radioja publike njoftoi se ish-drejtorja e kabinetit të Olmertit, Shula Zaken, në arrest shtëpie prej një jave, u mor në pyetje për të katërtën herë sot në mëngjes. E përditshmja "Yediot Aharonot" njoftoi të premten e kaluar se, siç dukej, Olmerti dyshohet të ketë marrë shuma të mëdha parash nga një afarist amerikan, me ç‘kuptohet, për të financuar disa nga fushatat e tij zgjedhore. Mediat thonë se klasa politike po përgatitet për mundësinë e një dorëheqjeje ose pezullimi të Olmertit, nëse ai do të akuzohet nga prokurori i Përgjithshëm, Menahem Mazuz. Madje radioja ushtarake bëri të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme, Tzipi Livni, anëtare e partisë Kadima (e qendrës, e kryesuar nga Ehud Olmert), i ka më të mëdha gjasat për ta zëvendësuar Kryeministrin. E përditshmja "Haaretz" thotë se drejtuesit e Kadima-s, të cilët nuk dëshirojnë t‘i marrë me vete rrëzimi i Kryeministrit, nëse kjo ndodh, kanë filluar të përmendin disa skenarë të periudhës së "pas-Olmertit". Kryetari i Partisë Laburiste dhe ministër i Mbrojtjes, Ehud Barak, nuk mund të pretendojë të zërë vendin e Olmertit gjatë kësaj legjislature, sepse nuk është deputet. Por, nga ana tjetër, Baraku nuk do të donte zgjedhje të parakohshme, pasi druan se kjo do të ndihmonte kthimin në pushtet të shefit të opozitës së djathtë, ish-kryeministrit Benjamin Netanjahu, të cilin të gjitha sondazhet e kanë nxjerrë si më të pëlqyerin. Olmerti është i përzierë edhe në tri çështje të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me dyshime për mashtrime në transaksione imobiliare dhe emërime politike abuzive.