E Diel, 1 Nëntor 2026

Padi penale Mediut nga familjarët e viktimave të GërdecitNga TemaFamiljarët e viktimave të Gërdecit, nëpërmjet avokates së tyre, Blerta Kaja, bënë me dije se ditën e hënë do të kallëzojnë sërish penalisht në prokurori Fatmir Mediun, dosja penale ndaj

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Padi penale Mediut nga familjarët e viktimave të GërdecitNga Tema

Familjarët e viktimave të Gërdecit, nëpërmjet avokates së tyre, Blerta Kaja, bënë me dije se ditën e hënë do të kallëzojnë sërish penalisht në prokurori Fatmir Mediun, dosja penale ndaj të cilit u pushua nga Gjykata e Lartë. Ky hap do të bënte që organi i akuzës të detyrohej të kërkonte sërish imunitetin e Mediut në parlament. Në rast se kjo gjë nuk do të ndodhë, përfaqësuesja e familjarëve të viktimave të Gërdecit tha se do ta çonte dosjen në Gjykatën e Strasburgut. Të gjitha këto veprime, sipas familjarëve të tragjedisë së 15 marsit, bëhen me qëllimin e vetëm, gjykimin e përgjegjësve dhe shkaktarëve të shpërthimit në Gërdec.

Padia

Në një takim të iniciuar nga aktivistë të lëvizjes “Mjaft!”, familjarët e viktimave të Gërdecit thanë se do të ndërmarrin disa iniciativa ligjore, me qëllim gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Blerta Kaja, përfaqësuesja e familjarëve të viktimave të Gërdecit, tha se fillimisht do të depozitojë një kallëzim penal në prokurorinë e kryeqytetit ndaj Mediut. Përveç këtij të fundit, në Prokurorinë e Tiranës do depozitohet kallëzim penal edhe ndaj ish-drejtorit të MEICO-s, Ylli Pinari, administratorit të kompanisë “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, dhe drejtuesit të fabrikës së demontimit të municioneve dhe predhave në Gërdec, Dritan Minxolli. “Ne do të ndërmarrim 3 veprime ligjore. Sapo të na vihet në dispozicion vendimi i Gjykatës së Lartë për pushimin e çështjes për të pandehurin Mediu, ne do paraqesim kërkesën përsëri në Gjykatën Kushtetuese. Veprimi më i shpejtë, më i dukshëm dhe i ndjeshëm do të jetë ushtrimi i kallëzimeve të reja penale në Prokurorinë e Përgjithshme dhe atë të Tiranës ndaj të pandehurit Mediu dhe të tjerëve në bashkëpunim, si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit”, - u shpreh avokatja e familjarëve të viktimave të 15 marsit, Blerta Kaja. Padia në prokurori ndaj Mediut do të bënte që organi i akuzës të niste sërish hetimet ndaj Fatmir Mediut dhe njëkohësisht të ri-kërkonte imunitetin e tij në parlament. Përveç kësaj, nëse kjo e fundit nuk do ta ndërmarrë këtë hap, avokatja Kaja tha se do ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Strasburgut. Në fakt, vetëm një ditë pas pushimit të dosjes penale të Fatmir Mediut nga Gjykata e Lartë, familjarët e viktimave të Gërdecit u shprehën se do të kërkojnë rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Mediut dhe nëse kjo gjë nuk realizohet, ata do të hyjnë në grevë urie. “Do të vazhdojmë me hapat tona, do të kërkojmë një hapësirë ligjore për të rihapur çështjen. Në rast se nuk do të gjejmë mbështetjen e shtetit, do të hyjmë në greve urie”, - thanë familjarët e viktimave të 15 marsit. Ata thanë se nuk kërkojnë gjë tjetër nga shteti, veçse drejtësi dhe ndëshkim të atyre që u morën jetën djemve, vajzave, nipërve dhe prindërve gjatë shpërthimit tragjik në Gërdec.

Rikërkimi i mandatit

Pak ditë më parë, burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se kjo e fundit pritet që t’i kërkojë parlamentit për herë të dytë imunitetin e Fatmir Mediut, dosja penale ndaj të cilit u pushua nga Gjykata e Lartë. Këto burime thanë se janë duke shqyrtuar të gjitha hapësirat dhe mundësitë ligjore, me qëllim rikthimin në bankën e të akuzuarit të Mediut. Në fakt, të gjithë juristët dhe ekspertët ligjorë janë shprehur se ekzistojnë mundësitë që Mediu të gjykohet, madje, sipas tyre, pushimi i dosjes së tij ka qenë një keqinterpretim i Kushtetutës nga Gjykata e Lartë. Për këtë arsye, eksperti ligjor i PS, Ylli Manjani, kërkoi nga parlamenti shkarkimin e gjyqtarëve që votuan pro mbylljes së dosjes penale të Fatmir Mediut. Sipas burimeve të prokurorisë, për të kthyer edhe një herë në gjykatë dosjen penale të Mediut, prokuroria do t’i referohet nenit 292 të Kodit të Procedurës Penale, i cili në dispozitën e tij ka të përcaktuar edhe rastet kur mund të ri-kërkohet heqja e imunitetit për personat, për të cilët ka një vendim pushimi, siç është edhe rasti i ministrit të Mjedisit. Në këtë dispozitë thuhet se, “vendimi i mos-fillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë së dhënë për shkak të mungesës së ankimimit ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengon ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankimimi, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin”. Këto burime thanë se, megjithatë ende nuk është marrë një vendim për dërgimin e kërkesës së ri-kërkimit në parlament të imunitetit të Mediut. Këta të fundit janë duke pritur zbardhjen e vendimit nga ana e Gjykatës së Lartë dhe më pas pritet që të vendosin se si do të procedojnë më tej. Megjithatë, vetëm një ditë pas pushimit të dosjes penale të Mediut nga Gjykata e Lartë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, nuk la të kuptohej se organi i akuzës kishte ndërmend që të kërkonte sërish në Kuvend imunitetin e ish-ministrit të Mbrojtjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›