E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëshmia: Njerëzit e Aldo Bares më torturuan në mënyrë çnjerëzoreNga TemaProcesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve të bandës së Lushnjës është shoqëruar dje me një dëshmi tronditëse. Adem Arapi ka treguar përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda se si d

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dëshmia: Njerëzit e Aldo Bares më torturuan në mënyrë çnjerëzoreNga Tema

Procesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve të bandës së Lushnjës është shoqëruar dje me një dëshmi tronditëse. Adem Arapi ka treguar përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda se si dy prej të pandehurve, Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, e kishin marrë peng dhe e kishin torturuar në mënyrë çnjerëzore. Pjesa më tronditëse e dëshmisë ka qenë fakti që të pandehurit i shkonin Arapit herëpashere në banesë dhe duke përfituar nga pamundësia e tij, i dhunonin barbarisht të shoqen. Dëshmia e tij pritet që të jetë një prej kryesoreve në procesin ndaj bandës së Lushnjës.

Dëshmia

“Më rrëmbyen dhe torturuan në mënyrë çnjerëzore, me urdhër të Alfred Shkurtit, sepse ushtarët e tij donin që unë t’u tregoja ku ndodhej Gramoz Selmani. Pasi më keqtrajtuan me të gjitha mjetet, më hodhën në një përrua”. Ka qenë ky një nga citatet e dëshmisë së Adem Arapit, i cili ka pohuar para trupit gjykues së Gjykatës së Krimeve të Rënda torturat e kryera nga ana e të pandehurve të bandës së Lushnjës. Gjatë dëshmisë, Arapi ka përmendur emrat e të pandehurve Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu, të cilët e kishin rrëmbyer me anë të një automjeti, e kishin lidhur me pranga dhe e kishin mbajtur peng në një garazh, që njihej dhe si komisariati numër 2 në Lushnjë. “Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu më kanë marrë me një makinë pa targa dhe më kanë çuar te garazhi, afër policisë. Më kanë lidhur duart me pranga. Ilir Stërgu dhe ai që ishte njëshi i torturave, Leonard Prifti, më kanë rrahur me një bisht druri dhe me shkelma”, - pohoi Arapi. Ky i fundit tha se ishte torturuar, për shkak se kishte lidhje krushqie me Gramoz Selmanin, shok i ngushtë i Artur Dajës, që ekzekutoi vëllanë e Aldo Bares. “Ata më kanë rrahur barbarisht dhe më kanë pyetur për Gramoz Selmanin, i cili është kunati i motrës sime”, - tha Arapi. Në dëshminë e tij, ai tha se ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë vitit 1998, kohë në të cilën anëtarët e bandës së Lushnjës ishin vënë në kërkim të Gramoz Selmanit. Pjesa më e rëndë e dëshmisë së dhënë nga ana e Adem Arapit ka qenë ajo e dhunimit barbar të bashkëshortes së tij nga ana e të pandehurve. “Unë ndenja dy muaj shtruar. Çdo dy ditë, Fred Shkurti dërgonte ushtarët e tij, më merrnin gruan në pyetje te garazhi, në lidhje me Gramozin. Bashkëshortja më thoshte që mirë ti, por edhe mua do të më gjejë belaja”, - tha në dëshminë e tij Arapi. Dëshmia e këtij të fundit pritet që të jetë kyçe në procesin gjyqësor ndaj të pandehurve të bandës së Lushnjës.

Banda

Në cilësinë e të pandehurve në këtë proces janë shtetasit Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Agur Musaku dhe Erion Cici. Krijimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, vrasjet, gjobat ndaj biznesmenëve, dhunimi i varreve etj., janë disa nga akuzat që rëndojnë mbi të pandehurit. Ata kanë rënë në prangat e policisë më datën 6 janar të vitit të kaluar, në një super-aksion të policisë, që drejtohej nga kreu i Krimeve të Rënda, Agron Koliçi. Ata ishin arrestuar edhe në vitin 1999, ku nga Gjykata e Elbasanit u dënuan me nga 25 vjet burg, ndërsa kreu i tyre, Aldo Bare, u dënua me burgim të përjetshëm, për pjesëmarrje në banda të armatosura dhe vepra të tjera penale. Por Apeli i Gjykatës së Durrësit i uli dënimet e tyre, duke i dënuar me vetëm 5 vjet burg. Ndërkohë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, gjykimi ndaj tyre u rikthye sërish në gjykim dhe për këtë, anëtarët e bandës së Aldo Bares u prangosën sërish. Dyshohet se kjo bandë ka kryer një sërë vrasjesh, kryesisht pas vitit ’97, ka vënë gjoba marramendëse ndaj shumë biznesmenëve, si dhe ka kryer akte terroriste. Një nga këto ka qenë edhe vënia e një sasie tritoli në stadiumin e Lushnjës “Roza Haxhiu”. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Një pjesë e tyre tashmë janë gjykuar nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila ka dhënë dënimet përkatëse. Ka qenë dëshmia e një prej ish-anëtarëve të kësaj bande, Petrit Liçi, që bëri të mundur vërtetimin e akuzave dhe arrestimin e të dyshuarve. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda po zhvillohet edhe gjyqi në ngarkim të kreut të bandës së Lushnjës, Aldo Bare, si dhe krahut të tij të djathtë, Enver Dondollaku. Seancat gjyqësore në ngarkim të tyre po zhvillohen në mungesë, pasi dy të pandehurit gjenden të burgosur, përkatësisht në burgjet e Turqisë dhe Italisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›