Kryeministri bën gafa, por opozita ka faj!Nga Denis DyrnjajaNë politologjinë botërore virtyti më i rëndësishëm e themelor për një politikan karriere ose udhëheqës shteti vlerësohet maturia. Prej maturisë së atyre që udhëheqin varet begatia ose rrënim
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Kryeministri bën gafa, por opozita ka faj!Nga Denis DyrnjajaNë politologjinë botërore virtyti më i rëndësishëm e themelor për një politikan karriere ose udhëheqës shteti vlerësohet maturia. Prej maturisë së atyre që udhëheqin varet begatia ose rrënimi i një shteti. Shqipërisë i ka takuar shpesh që nga deklarata të pamatura politike, të pësojë kriza me kosto të rënda financiare dhe sociale. Edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë, mbetet e freskët deklarata e ish-presidentit Berisha, gjatë periudhës së firmave piramidale ne vitet 1996-‘97, kur tha se paratë e shqiptarëve janë më të pastrat në botë. Fill pas kësaj deklarate totalisht emotive, populli vërshoi më shumë nga sa qe dyndur më parë, në dyert e firmave rentiere duke derdhur kursimet në gropat e zeza financiare të tyre. Besimi publik që krijoi deklarata e ish-presidentit të asaj kohe, (sot kryeministër i vendit), u solli shqiptarëve rrënimin financiar, çoi vendin në prag të një lufte civile dhe shkërmoqi çdo qelizë të shtetit. Berisha qe i vetëdijshëm për deklaratën që bëri, por jo për pasojat që do të vinin prej saj. Një krizë e ngjashme është shfaqur rrezikshëm këto ditë me çrregullimet e tregut valutor, që nisi sërish fill pas deklaratës emotive të kryeministrit aktual, Berisha, se shqiptarët duhet t’i dorëzohen Euros, pasi ajo është monedhë e fortë. Ndaj parasë njerëzit kudo në botë janë të ndjeshëm, e këtu në Shqipëri akoma më shumë, se janë “djegur” ndoshta ca më shumë se të tjerët. Për rrjedhojë edhe instinkti i tyre për të ruajtur kursimet, të ardhurat apo për të krijuar një lloj sigurie për ekonominë familjare është tepër i ndjeshëm. Si pasojë e paranojës dhe pasigurisë se çfarë mund të ndodhë nesër me Lekun apo me Euron, tregu valutor ka hyrë në ngërç dhe kjo thjesht për shkak të një deklarimi emocional, të pamenduar dhe tërësisht jo-koherent të kryeministrit. Si shpeshherë të tjera, kur bëhet fjalë për kostot apo premtimet financiare të qeverisë, i pari mbi të cilin bie barra e retushimit të gafave të kryeministrit, është ministri i Financave. Ridvan Bode rendi të akuzojë opozitën se po keqpërdor deklaratën e kryeministrit për çështjen e Euros, por në fakt dhe vetë është i bindur se zullumqari në këtë histori është vetëm dhe vetëm Berisha. Nuk është hera e parë që ai bën zullumin dhe të tjerëve u duhet ta mbulojnë, justifikojnë e mbajnë koston mbi kurriz. E ka faturën të rëndë kryeministri. S’e lëshon kollaj, por, kur e lëshon, të bën gjëmën, koha e ka provuar. Që të shkojmë drejt Euros nuk ka asgjë të keqe dhe në fakt destinacioni ynë do të jetë BE dhe Euro. Por të jesh kaq larg standardeve të saj dhe të bësh atë deklaratë tërësisht të parakohshme është amatoreske për një politikan profesionist. Është amatoreske, jo për karakterin politik të saj, por për pasojën që sjell e në këtë rast, pasoja do të thotë rrezik destabiliteti deri në rrënim financiar të shtetit. Zoti Bode, para se të akuzonte opozitën për abuzim politik, do të bënte mirë të këshillonte më shpesh kryeministrin, që të jetë disi më i përmbajtur në deklaratat e tij emocionale për sa i përket çështjeve financiare, që të mos i linte shkak dhe kundërshtarëve që t’i përdorin gafat e tij për përfitime politike. Opozita për këtë punë është, që të kapë e shfrytëzojë gabimet politike të qeverisë. Tani, kryeministrin s’e ndryshojmë dot, se kështu është i gatuar, por dhe opozitën s’e ndryshojmë dot, se ajo na ka rënë për pjesë. Varianti i vetëm mbetet të përshtatim popullin, duke e mësuar se çdo 10 vjet do hajë ndonjë kolpo tragjike financiare dhe të lutemi “Kësaj herë më lehtë o Zot”!