E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e Shkëlzenit dhe Argitës, Tahiri: Prova e dëshmitarë për akuzat

Sajmir Tahiri

TIRANE – Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet hapi dje gjykimin në ngarkim të deputetit të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i cili është paditur për shpifje nga Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, fëmijët e Kryeministrit Sali Berisha. Padia në fjalë është regjistruar në nëntor 2011 në Gjykatën e Tiranës, ndërsa fëmijët e kreut të qeverisë kërkojnë dëmshpërblim me 4 milionë lekë nga ana e deputetit Tahiri. Përfaqësuesi ligjor i Malltezit dhe Berishës pretendoi para gjykatësit Ilir Çeliku se deklaratat me karakter denigrues të deputetit Tahiri në studion e programit Zonë e Lirë, më 7 tetor 2011, kanë cenuar emrin e mirë dhe imazhin që kanë në shoqëri Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha. Deklaratat e të paditurit të bëra në televizionin Klan në drejtim të paditësve Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha janë të pavërteta dhe kanë për qëllim cenimin e nderit dhe personalitetit të paditësve, u shpreh avokati. Sipas tij, deklaratat e Tahirit përbënin shpifje publike dhe fyerje për paditësit, duke i cenuar ata në nderin, personalitetin dhe reputacionin që gëzojnë. Nga ana tjetër, i paraqitur para gjykatës si palë e paditur, deputeti Sajmir Tahiri mohoi shpifjen dhe këmbënguli në qëndrimin për të cilin ai është paditur. Sipas perceptimit tim, fëmijët e Kryeministrit kanë qenë dhe janë të korruptuar. Deklaratat e mia në emision janë bërë në cilësinë e një politikani, që ka të drejtë të formojë opinion bazuar në fakte dhe të dhëna që janë bërë publike dhe janë të njohura botërisht dhe jo në cilësinë e një prokurori, apo gjyqtari, u shpreh deputeti Tahiri para gjykatës. Deputeti Tahiri i kërkoi dje gjykatës administrimin e një sërë provash, përmes të cilave ai pretendon të provojë vërtetësinë e thënieve të tij për përfshirjen e fëmijëve të Kryeministrit në afera korruptive. Ndër të tjera, Tahiri kërkoi nga gjykata administrimin e plotë të dosjes Gërdeci. Regjistrin e hyrje-daljeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Drejtësisë, ku pasqyrohen hyrje-daljet e Shkëlzen Berishës në këto ministri përpara se të merrte vendim Këshilli i Ministrave për demontimin e armëve në Gërdec, kërkoi Tahiri. Po aty, ai kërkoi administrimin e tabulateve telefonike të shtetasit Mihal Delijorgji dhe Fatmir Mediu në lidhje me telefonatat në drejtim të Shkëlzen Berishës para dhe pas tragjedisë së Gërdecit, dhe veçanërisht ditën që ndodhi shpërthimi në Gërdec. Bashkëngjitur kërkesës, Tahiri kërkoi thirrjen si dëshmitarë të 11 personave, mes të cilëve dy paditësit, biznesmenin Damir Fazlliç, Mihal Delijorgjin, dhe Fatmir Mediun, gjithashtu edhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxhën. Përfaqësuesi ligjor i paditësve Malltezi e Berisha paraqiti para gjykatës kualifikimet akademike të të përfaqësuarve prej tij, për të provuar statusin e tyre shoqëror.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›