Berisha në Lezhë me 109 gardistë

Erjon Braçe
Deputeti i PS komenton një dokument të Gardës për sigurimin e vizitës së Kryeministrit.
Braçe: E shoqëruan 24 oficerë e 85 nënoficerë me 19 makina.
Deputeti socialist, Erjon Braçe, komenton një dokument të Gardës së Republikës, ku jepen detaje të një detyre për ruajtjen e Kryeministrit Berisha në Lezhë pak ditë më parë. Në profilin e tij në Facebook, Braçe shtron pyetjen: Nga kush dhe përse ka frikë Sali Berisha?. Sipas tij, referuar dokumentit të Gardës së Republikës, 109 efektivë të lartë të Gardës kanë marrë pjesë në sigurimin e vizitës së kreut të qeverisë në qytetin e Lezhës më 2 mars, me rastin e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Nga një dokument i Gardës së Republikës që mban datën 7 mars 2012, shoh se në Lezhë, ditën e përvjetorit të Kuvendit të Lezhës, Berisha paska pasur frikë pa fund! E kanë ruajtur: 109 efektivë të Gardës; 24 oficerë dhe 85 nënoficerë, të gjithë anëtarë të Njësisë së Parë, Njësisë së Dytë, Njësisë së Tretë, Njësisë Speciale dhe Sektorit të Analizës!!!!! 109 efektivëve u janë shtuar dhe grupet e shoqërimit personal të Sali Berishës dhe Jozefina Topallit! I gjithë ky batalion me roje, i transportuar me 19 mjete, ka shënuar vetëm: Ndërprerjen e energjisë elektrike për 8 minuta në aktivitetin e orës 13:00, shkaktuar nga një defekt në linjat ndërkombëtare!!, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook, të cilin duket se e ka mjetin më të preferuar për të komunikuar me publikun dhe miqtë e tij. Edhe pse ne si gazetë i kërkuam që të na verë në dispozicion dokumentin zyrtar të Gardës së Republikës që disponon, deputeti socialist nuk dha asnjë përgjigje, por përsëriti pyetjen: Atëherë nga kush dhe përse ka kaq frikë Sali Berisha? Populli është i lumtur – siç thotë ai. Populli e do dhe e voton në shumicë -siç thotë ai, shprehet Braçe.
Në 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës, për të cilin Bashkia e Lezhës organizoi një ceremoni madhështore në 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, morën pjesë personalitete të larta politike nga të gjitha trevat shqiptare, nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Personalitetet
Në festimet e Kuvendit të Lezhës morën pjesë personalitetet më të larta të trevave shqiptare. Nga Shqipëria ishte kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Berisha, Kryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, parlamentarë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Por, e pranishme në Lezhë ishte dhe Aleanca Kuq e Zi, e cila edhe njëherë promovoi simbolet kombëtare dhe sloganet e një Shqipërie etnike.