Reforma zgjedhore - LSI insiston për plotësimin e standardeve”
Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo
Nënkryetari i Kuvendit dhe njëherazi deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Vangjel Tavo u shpreh dje se vendi duhet të plotësojë në kohë rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe ato të Brukselit. Ai tha se ritmet me të cilat është duke ecur reforma zgjedhore, nuk po reflekton seriozitetin e duhur, ndërsa apeloi për realizimin e detyrave të statusit. “Koha po ecën dhe Shqipëria duhet të dëshmojë efikasitet në realizimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Pavarësisht se koha ecën mbeten të parealizuara shumica e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. LSI insiston në miratimin e reformave, por dy forcat kryesore duhet të marrin përgjegjësitë përkatëse dhe të lënë mënjanë interesat e ngushta partiake. LSI ka shprehur pakënaqësitë lidhur me ecurinë e reformës zgjedhore, duhet të kishte përfunduar në fakt është në fillimet e veta. Nuk janë realizuar as rekomandimet e OSBE/ODIHR, jo më të merren me kërkesat e LSI-së apo të grupimeve të tjera, siç është përfshirja e gruas në politikë, votat e emigrantëve, apo çështje të sistemit, të cilat i kemi bërë prezent në komisionin zgjedhor dhe në media. Dy forcat e mëdha janë marrë vesh më së mirë ndërmjet tyre, pavarësisht debateve boshe. Ne kemi shprehur pakënaqësinë tonë, zoti Meta ka kërkuar të lihen mënjanë retorika boshe PS-PD. Do vazhdojmë të këmbëngulim, është përgjegjësi e dy forcave politike që këto reforma të miratohen, duhen lënë mënjanë interesat politike”, u shpreh Tavo.
Sa i përket lënies mënjanë të debatit lidhur me sistemin zgjedhor, për një korrektim kombëtar të tij, Tavo u shpreh se “kjo nuk është e vetmja çështje që ka mbetur në hije në komisionin zgjedhor, por mbeten edhe 8 rekomandime të OSBE/ODIHR-it të kyçura në sirtar”.
Ndërsa, pyetjes nëse do të jetë kjo marrëveshje mes dy forcave kryesore politike përcaktuese në koalicionet para dhe pas zgjedhore për partitë dhe për vetë LSI-në, Tavo shprehet i prerë që kjo nuk përcakton lëvizjen e kësaj partie.
“S’është lënë mënjanë vetëm kjo çështje, komisioni nuk është në fundin e vet. Kjo reformë po vonohet edhe pas presionit të ndërkombëtarëve, nuk shohim ndonjë arritje. Jemi marrë vetëm me 4 rekomandime në komisionin e reformës zgjedhore. Rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë prioritare, por s’mund të lëmë mënjanë edhe çështje të tjera që vinë nga forcat politike dhe shoqëria civile siç është ajo e sistemit, të cilat nuk duhet të anashkalohen. Ne nuk e kemi lidhur çështjen e sistemit me koalicionin aktual apo para dhe pas zgjedhor. LSI është forcë serioze dhe nuk kapet pas zgjidhjeve të momentit, këtë e tregoi dhe rezultati i zgjedhjeve ndaj kësaj force. Po punojmë në gjithë territorin për tu përfaqësuar në disa qarqe me dy a më shumë deputetë. Numri i deputetëve për LSI do të jetë i paimagjinueshëm, LSI nuk i trembet asnjë lloj kodi apo sistemi zgjedhor”, tha ai.
Duke u ndalur te zgjedhja e presidentit, Tavo e quajti debat shterpë dhe të parakohshëm mediatizimin që i është bërë kësaj çështje, por shtoi se i rëndësishëm është procesi dhe jo emrat. Përplasjet e fundit mes liderit të mazhorancës Sali Berisha dhe presidentit, Bamir Topi, Tavo i cilësoi tërësisht politike, ndërsa akuzoi kreun e shtetit se po shkel Kushtetutën me qëndrimin politik që po mban.
“Është i parakohshëm përzgjedhja e emrave, duhet të presim qershorin, kemi reformat më të rëndësishme, nuk duhet të merremi me debate shterpë. Nuk ka rëndësi emri për ne, rëndësi ka që procesi të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Do të ishte mirë që të kishte konsensus të gjerë, por s’është përcaktuese. Kemi një President, pavarësisht se ky i ka tejkaluar kompetencat e tij si President, ka filluar të mbajë një qëndrim politik që nuk i lejohet në pozicionin që ka. Ky president në këtë pjesë të kohës, diçka nuk po bën mirë”, tha më tej, deputeti i LSI-së Vangjel Tavo.