E Diel, 1 Nëntor 2026

Padia e plotë e familjarëve të viktimave të Gërdecit ndaj MediutNga TemaAshtu siç kishin paralajmëruar, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë dorëzuar dje në prokurori kallëzimin penal ndaj Fatmir Mediut. Kallëzimi penal ka pasur si o

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Padia e plotë e familjarëve të viktimave të Gërdecit ndaj MediutNga Tema

Ashtu siç kishin paralajmëruar, familjarët e viktimave të tragjedisë së Gërdecit kanë dorëzuar dje në prokurori kallëzimin penal ndaj Fatmir Mediut. Kallëzimi penal ka pasur si objekt rifillimin e ndjekjes penale për ministrin e Mjedisit, dosja penale e të cilit u pushua nga Gjykata e Lartë. Padia e firmosur nga 63 familjarë të viktimave i është drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, por edhe krye-parlamentares, Jozefina Topalli, dhe kreut të Gjykatës së Lartë, Shpresa Breçaj. “Shpresojmë që Ina Rama ta rihapë edhe njëherë këtë çështje. I bëj thirrje edhe zonjës Jozefina Topalli dhe Shpresa Breçaj, që të merren me këtë çështje”, - tha Zamira Durda. Ka qenë pikërisht kjo e fundit, nëna e 6-vjeçarit Edison Durda, që u vra në tragjedinë e 15 marsit, që ka depozituar në emër të familjarëve të viktimave të tjerë padinë ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Familjarët shprehen në kallëzimin e tyre penal ndaj Fatmir Mediut, se ky i fundit, me veprimet dhe mosveprimet e veta, ka dëmtuar rëndë interesat e tyre, duke shkaktuar vdekjen e njerëzve të afërm të tyre. Si veprime të paligjshme, familjarët e viktimave të tragjedisë së 15 marsit rendisin përzgjedhjen e fshatit Gërdec për të kryer demontimin e municioneve dhe predhave, urdhrin e Mediut për kalim municioni ndërmarrjes shtetërore MEICO dhe mosveprimin e tij për ushtrim kontrolli. Familjarët thonë se Mediu i ka kryer veprimet me bashkëpunëtorët e tij, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari, të cilët janë duke u gjykuar aktualisht në Gjykatën e Tiranës. Familjarët e viktimave shprehen se kallëzimi penal është bërë me qëllim përsëritjen e kërkesës nga ana e prokurorisë ndaj Kuvendit, për t’i hequr sërish imunitetin deputetit Fatmir Mediut. Në rast se kjo kërkesë nuk do të merret parasysh nga ana e prokurorisë, ata shprehen se do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

Padia e familjarëve të viktimave të Gërdecit: Ja pse duhet të hetohet sërish Mediu

Objekti: Kërkohet të rifillojë ndjekja penale për deputetin Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij, si fajtorë për Tragjedinë e Gërdecit

Baza ligjore: Nenet 58, pika 1 dhe 283, pika 1, të Kodit të Procedurës Penale;

E nderuara Zonja Prokurore e Përgjithshme,

1. Siç jeni në dijeni më 15 Mars 2008, në fshatin Gërdec (Tiranë) për shkak të një shpërthimi të tmerrshëm, në mjediset e ish-Brigadës së Tankeve, kanë humbur jetën trashëgimlënësit tanë të renditur më poshtë.

2. Për këtë ngjarje kriminale nga ana e institucionit Tuaj u regjistrua çështja penale, që i përket procedimit penal nr. 3, të vitit 2008, ndër të tjera edhe në ngarkim të deputetit Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorëve të tij. Duke qenë se me vendimin nr. 6, datë 14. 09. 2009, të Kolegjit Penal, të Gjykatës së Lartë, u pushua procedimi penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mund të vazhdojë, se kishte fituar një mandat të ri si deputet, atëherë Ju kërkojmë, që të rifilloni ndjekjen penale për këtë person dhe për të njëjtin fakt.

3. Meqenëse një mundësi e tillë juridike, për pasojë dhe detyrim për Prokurorinë për të rifilluar ndjekjen penale, parashikohet shprehimisht nga neni 292 i K. PR. Penale: “Vendimi i mos-fillimit të procedimit, i pushimit ose i pafajësisë, të dhënë për shkak të mungesës së ankimit për procedim ose të kërkesës së autorizimit për procedim, nuk pengojnë ushtrimin e ndjekjes penale për të njëjtin fakt dhe kundër të njëjtit person, në qoftë se më pas bëhet ankim, jepet autorizimi ose zhduket kushti personal që e bënte të domosdoshëm autorizimin.” , ne po paraqesim këtë kallëzim penal, për këtë ngjarje kriminale, që gjithsesi ndiqet kryesisht.

4. Për të mos ndërlikuar ndjekjen penale, ne i qëndrojmë dhe i bashkohemi kërkesës për gjykim të datës 13. 03. 2008, që Prokuroria e Përgjithshme paraqiti para Gjykatës së Lartë, në lidhje me atribuimet e figurave të veprave penale për personat përkatës, si dhe për faktet që provojnë këto akuza.

5. Përmbledhtazi do të rikujtonim se ish –Ministri i Mbrojtjes, deputeti Fatmir Mediu, minimalisht ka konsumuar figurën e veprës penale, të parashikuar nga neni 248, i K. Penal, pasi me veprimet apo mosveprimet e tij të kundërligjshme, të kryera me dashje ka dëmtuar rëndë interesat tona, pasi ka shkaktuar vdekjen e trashëgimlënësve tanë. Ndër veprimet e paligjshme të tij mund të rendisim, si vijon:

- Përzgjedhja e fshatit Gërdec për të kryer demontimin, në një kohë që ai pozicion ishte i papërshtatshëm dhe binte ne kundërshtim me rregullat e përcaktuara në urdhrin nr. 326, datë 11. 5. 2000, të Ministrit të Mbrojtjes “Për kryerjen e licencimit të depove të municionit sipas standardeve të NATO-s”, fakt që i është evidentuar atij dhe për pasojat e pashmangshme që mund të vinin (që në fakt erdhën me këtë ngjarje kriminale) me shkresën nr. 2408/1 prot, datë 3. 5. 2007, të Komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar;

- Urdhri i tij nr. 2044, datë 7. 12. 2007 “Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO”, bie në kundërshtim flagrant me pikën 1, të kreut IV, të VKM nr. 138, datë 14. 3. 2007, pasi ai në kundërshtim me sa sipër urdhëron demontimin e municioneve me kalibër të madh, ndërkohë që në VKM thuhet në mënyrë përcaktuese të municioneve me kalibër të vogël.

- Edhe sikur të mos ishin këto dy veprime evidente, haptazi të kundërligjshme, të cilat parashikoheshin, që mund të sillnin këtë pasojë kriminale, qoftë dhe vetëm mos ushtrimi i kontrollit të duhur dhe marrja e masave për shmangien e ngjarjeve të tilla, pas-sjell përgjegjësi penale për këtë ish-ministër, në zbatim direkt të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës, ku thuhet se: “Ministri brenda drejtimeve kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore, drejton nën përgjegjësinë e tij veprimtarinë që ka në kompetencë.” Pra edhe sikur veprimet e kundërligjshme të ishin kryer nga vartësit e tij, vetëm fakti, që ai nuk ka ushtruar kontroll (mosveprim) në këtë veprimtari, duke lejuar ardhjen e kësaj pasoje kriminale, e ngarkon atë me përgjegjësi, bashkë me ta.

- Nga ana tjetër marrë në kompleksitet me veprimet, që ai ka kryer me bashkëpunëtorët e tij si, të pandehurit: Ylli Pinari, etj, rezulton se s’ka qenë një veprimtari sporadike, por e parashikuar mirë si në paracaktimin e shoqërisë tregtare, që do të fitonte të drejtën për këtë aktivitet, vendin e demontimit, megjithëse krejt i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me rregullat e përcaktuara për këtë qëllim, si dhe drejtimi nga ana e këtij personi e një procesi përgatitjeje të një tërësie aktesh nënligjore, për ta çuar në mashtrim edhe Këshillin e Ministrave për të miratuar VKM nr. 138, datë 14. 3. 2007, në mënyrë që përsëri kontrata të lidhej me shoqërinë e paracaktuar nga ai.

6. Pa dashur të zgjatemi më tej, pasi për provueshmëri të kallëzimit tonë, ne i referohemi kërkesës për gjykim të përgatitur nga institucioni Juaj, të cituar shprehimisht më lart, por në këndvështrimin tonë, deputeti Mediu e ka kryer këtë veprimtari të kundërligjshme në bashkëpunim me të pandehurit Delijorgji, Pinari dhe shoqërinë “AlbaDemil”. Në lidhje me formën e bashkëpunimit ia lëmë në çmim Prokurorisë së Përgjithshme, gjithsesi, parë në kompleksitet çështjen, si dhe faktin e nënshtrimit të Forcave të Armatosura, nëpunësve të shërbimit civil, drejtorëve të uzinave ushtarake shtetërore ndaj këtij grupi individësh, për t’u vënë në shërbim të tyre dhe të kësaj veprimtarie kriminale, ne na krijohet përshtypja se personat e sipërcituar kanë vepruar gati si një organizatë kriminale, në kuptimin që i jep neni 28, pika 1, parag 2, i K. Penale, këtij bashkëpunimi, ku parashikohet se: “Organizata kriminale, për realizimin e qëllimeve të saj, përdor forcën, mjetet e tjera të kërcënimit, nënshtrimin dhe heshtjen për shkak të pjesëmarrjes dhe veprimtarisë së saj, për të kryer vepra penale, për të siguruar në çdo mënyrë, administrimin ose vënien nën kontroll të veprimtarive ekonomike, të koncesioneve, të autorizimeve, sipërmarrjeve dhe shërbimeve publike, për të realizuar përfitime ose avantazhe të padrejta për vete a personat e tjerë….”.

7. Në këto kushte, Ju kërkojmë e nderuara zj. Prokurore e Përgjithshme, që ta regjistroni këtë kallëzim penal tonin në ngarkim të deputetit Fatmir Mediu, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij të cituar nga ana jonë, si dhe të rifilloni ndjekjen penale për të, duke kërkuar menjëherë autorizimin për të proceduar, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për të njëjtin fakt dhe akuzë të përgatitur një herë nga ana Juaj.

8. Me besimin se kjo ndjekje penale do të rifillojë jo vetëm si detyrim, që rrjedh për Prokurorinë e Përgjithshme nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale, por dhe si respekt për trashëgimlënësit tanë, të cilët u vranë nga ushtrimi i një veprimtarie haptazi të kundërligjshme, nga ana e të kallëzuarve penalisht prej nesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›