Artan Kristo, kush është i arrestuari për terrorizëm?
Emri i Artan Kristos rikthehet në dosjet e Prokurorisë pas afro tre vitesh. Pas 2006 ku ai solli përshtjellimin e parë në Komunitetin Mysliman pasi u dyshua për vrasjen e sekretarit të përgjithshëm të këtij komuniteti, Salih Tivari në vitin 2003, këtë herë sjell pothuajse të njëjtin përshtjellim në Komunitetin Mysliman, por me një akuzë konkrete atë të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave me qëllim terroriste. Sipas prokurorisë Artan Kristo i ka bërë këto thirrje nxitëse në një faqe interneti adresa e së cilës është :www.albselefet.net. Kështu veprimet e prokurororëve te Tiranës arritën të identifikojnë se këto thirrje nxitëse vinin nga ky person megjithëse ai gjatë këtyre botimeve në faqe ka përdorur një emër tjetër. Për hetimin sa më të plotë të çështjes, janë shfrytëzuar një numër i madh mjetesh për kërkimin e provës, përfshi dhe ato të karakterit teknik. Kështu Gjykata e kryeqytetit ka caktuar masën e sigurimit "Arrest në burg". Por kush është personi i përfshirë për akte terroriste. Ai njihet ndryshe edhe si Muhamed Abdullah dhe ka rënë në sy që në vitin 2002 për një raport të acaruar me Salih Tivarin. Artan Kristo, një besimtar i devotshëm që bënte pjesë te rryma radikale, dy vite para vrasjes së sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman ishte emëruar përfaqësues i fondacionit "Al Haramain", në Shqipëri. Fondacioni, i cili me vendim të qeverisë shqiptare të vitit 2004, hyri në listën e financuesve të terrorizmit, kishte kërkuar dhjetëra herë të realizonte investime në Shqipëri më pas në 2006 ai shoqërohet në komisariatin e Durrësit me dyshimin si autor në vrasjen e Salih Tivarit. Pas marrjes në pyetje ai lihet i lirë dhe më pas deklaron se kur është vrarë sekretari i përgjithshëm i Komunitetit Mysliman ka qenë në Siri. Pas tre vitesh ai rikthehet në qeli, por këtë herë organi akuzës ka baza konkrete dhe prova të besueshme për ta mbajtur në qeli.