E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia kundër Greqisë, Haga do shprehet në favor të Shkupit

ATHINE - Gazeta greke "Kathimerini" shkruan se vendimi që pritet më 5 Dhjetor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, do të jetë në favor të Shkupit. 

Vendimi lidhet me aktpadinë e ngritur pranë kësaj gjykate kundër Athinës, për shkeljen e Marrëveshjes së Përkohshme të vitit 1995, ku u bllokua pranimi i Maqedonisë në NATO, në Samitin e vitit 2008 në Bukuresht. 

Gazeta greke duke u bazuar në burime të saj nga Haga, ka shkruar se ky proces gjyqësor ka përfunduar në favor të Shkupit. 

Si argument për këtë vendim janë përdorur deklaratat e ishkryeministrit Kostas Karamanlis dhe ish-ministres së Jashtme Dora Bakojanis, të cilët kanë paralajmëruar vetot e vazhdueshme për integrimin e Maqedonisë, për shkak të moszgjidhjes së kontestit të emrit. 

Sipas gazetës Kathimerini, vendimi i Gjykatës megjithatë nuk mund ta detyrojë Greqinë per të mos vazhduar të bllokojë integrimin e Maqedonisë. Zyrtarisht vendimi do të publikohet më 5 dhjetor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. 

Kjo cështje, ishte një nga 3 kryesoret në axhendën e qeverisë greke, sepse Greqia ka nevojë urgjente për të rifituar besueshmërinë e saj jashtë vendit. 

Burime qeveritare kishin thënë më herët se se Greqia duhet të jetë e përgatitur për çdo eventualitet dhe të veprojë në përputhje me rrethanat, për të mbrojtur pozitat greke dhe interesat e saj, drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›