Nishani: Hetimi i korrupsionit, prokuroria nuk po bën detyrën
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka kritikuar dje tërthorazi punën e organit të prokurorisë, duke pretenduar se Shqipëria ka patur ecuri jo të kënaqshme në hetimin e disa çështjeve, ku ndër më kryesoret janë hetimet e luftës kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Sipas ministrit, strukturat hetimore kanë lënë për të dëshiruar në eficencën dhe finalizimin e hetimit të shumë çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin. “Për hir të së vërtetës, ne si Ministri e Brendshme, por edhe strukturat drejtuese të policisë së shtetit, nuk janë të kënaqura me performancën dhe rezultatet e arritura nga strukturat e hetimit dhe goditjes së krimit ekonomik dhe korrupsionit. Nuk mund të themi që s’kemi krim ekonomik, nuk mund të themi që s’kemi korrupsion dhe duhet të trajtohen me më shumë seriozitet, pasi janë vepra të rënda. Unë besoj se do të reflektohet shumë shpejt dhe në aspektin e strukturat e departamenteve që merren me këtë luftë “, tha Nishani. Kjo deklaratë e Nishanit është e para deklaratë kritike e tij pas rikthimit në krye të Ministrisë së Brendshme, ndërsa organi i akuzës dhe strukturat vartëse të qeverisë shpesh kanë patur përplasje dhe akuza respektive mbi punën dhe eficencën e tyre. Ministri Nishani u shpreh dje edhe në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave dhe sipas tij qytetarët shqiptarë, por edhe strukturat shtetërore e kanë menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer këtë proces. “Ne kemi të gjitha kapacitetet, kemi të gjithë infrastrukturën e nevojshme për t’iu përgjigjur nevojës që mund të lindi nëse do të ketë individë apo grup individësh që nuk do të plotësojnë këto kritere, duke filluar që nga marrëveshjet e riatdhesimit dhe të rikthimit, por edhe nga qendra dhe pritjes dhe rehabilitimit që ne kemi në gatishmëri. Unë besoj që qytetarët shqiptarë do të vazhdojnë me këtë korrektesë dhe etikë në respektimin e kësaj marrëveshjeje, pasi ky është një proces ku në radhë të parë nxjerrin përfitimet e tyre vetë qytetarët shqiptarë’, - u shpreh Nishani. Që prej hyrjes në fuqi të regjimit të ri të vizave mes Shqipërisë dhe bashkimit Europian, nuk është vërejtur asnjë fenomen i abuzimit me respektimit të afateve të qëndrimit të qytetarëve shqiptarë në shtetet e BE-së.