Padia ndaj Sajmir Tahirit, PS: Gjyqtarja Deçolli, ushtare e Berishës

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka reaguar lidhur me vendimin e sotëm në gjyqin mes deputetit socialist, Sajmir Tahiri dhe zv/Drejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kulici. PS thekson në një deklaratë për shtyp se: “Gjyqtarja Fatime Decolli në çështjen me të paditur deputetin Saimit Tahiri dhe paditës zv/Drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kulici, njëherësh bashkshorte e ish kandidatit të PD për Kryetar Bashkie në Berat dhe aktualisht funksionar i lartë i PD në qytetin e Beratit, mori sot vendim për mos të përjashtuar veten nga ky proces pas kërkesës së deputetit Saimir Tahiri për përjashtimin e saj.
Sipas PS-së deputeti Saimir Tahiri kërkoi përjashtimin e saj me argumentin se “në një proces gjyqësor kundër një funksionari publik, ish roje i Kryeministrit aktual e njëkohësisht një eksponent i njohur i PD, nuk mund të më gjykojë bashkëshortja e një tjetër funksionari publik dhe eksponenti të lartë të PD”.
Më tej PS shprehet se sot,gjyqtarja Deçolli ka hedhur poshtë kërkesën me pretendimin se deputeti Tahiri duhet të dinte që në fillim të procesit se Znj. Deçolli është bashkshortja e bashkshortit të saj dhe se bashkshorti saj mban pozicion politik në PD Berat. “Megjithëse Kodi i Procedurës Civile (Neni 74, pika 2) parashikon shprehimisht mundësinë për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares sapo njëra nga palët vihet në dijeni të faktit që mundëson përjashtim, dhe në këto raste përjashtimi gjyqtares është taksativ, gjyqtarja Deçolli, në mënyrë absurde dhe në shkelje të plotë të ligjit, vendosi të mos përjashtohet, por të vazhdojë të zhvillojë ajo vetë gjyqin e nisur nga një militant i pushtetit të PD kundër një deputeti të opozitës.
“Ky është rasti i radhës që dëshmon se si gjyqtarë të lidhur me pushtetin e PD dhe Sali Berishës, marrin guximin të shkelin Kushtetutën dhe ligjin për t`i dhënë rrugë gjyqeve politike ndaj deputetëve të opozitës.Instrumentalizimi i gjyqësorit dhe gjyqtarëve për t`u përdorur si kamzhik politik ndaj deputetëve të opozitës, është dëshmia më e qartë e abuzivizmit të pushtetit dhe uzurpimit të sistemit të drejtësisë, siç është shenjë e qartë e nënshtrimit të gjyqësorit dhe gjyqtarëve të veçantë, të tillë si Fatime Deçolli dhe të tjerë kolegë të saj, ndaj korrupsionit dhe interesave klienteliste e politike ngushtësisht të lidhura me PD dhe qeverinë e sotme. Janë mbi 10 deputetë të opozitës që sot i janë nënshtruar proceseve gjyqësore me paditës eksponentë politikë të lartë të PD dhe qeverisë së Sali Berishës”, thekson grupi Parlamentar i PS duke i cilësuar proceset gjyqësore ndaj deputetëve të PS si procese të motivuara e montuara politikisht nëpërmjet gjyqtarëve militant që shkelin mbi drejtësinë e mbi ligjin për llogari të shefave politik të pushtetit dhe qeverisë, duke degraduar njëkohësisht gjyqësorin dhe drejtësinë.
Në përpundim GP i PS thekson se nuk do të tërhiqet në asnjë rast nga denoncimi i të vërtetave mbi keqpërdorimin dhe abuzimin e pushtetit nga qeveria e sotme, siç nuk do të tërhiqet nga procese gjyqsore të degraduara që nëpërkëmbin drejtësinë duke shkelur Kushtetutën dhe Ligjin.