E Diel, 1 Nëntor 2026

Një i vrarë, dy të plagosur për pronën në Bathore

Viktima Shpëtim Bakoçi, sherr për kullotat me Nazmi Islamajn.

Një mosmarrëveshje më se njëvjeçare mes dy familjeve për kullotat u bë shkak dje për vrasjen e një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në periferi të Tiranës, Bathore.
Shtetasi Shpëtim Bakoçi, 37 vjeç, ka mbetur i vrarë me armë zjarri dje, pasi u qëllua me tre plumba. Në ngjarjen e rëndë kanë mbetur të plagosur gjithashtu edhe dy persona të tjerë, nënë e bir, Selve dhe Nazmi Islamaj, 69 e 42 vjeç. Ata kanë pësuar plagë me saçme çifteje, gjatë shkëmbimit të zjarrit mes shtetasit Nazmi Islamaj me viktimën. Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në zonën mes Bathores dhe Zall-Herrit, në Kamzë të Tiranës. Shkak i konfliktit, sipas Policisë, janë bërë bagëtitë e viktimës Shpëtim Bakoçi, që ishin futur për të kullotur në pronën e familjes Islamaj. Policia tha se pas një debati në distancë për disa dele që ishin futur në kullotën e fqinjit të viktimës, të dyja palët kanë marrë armët për tu përballur, duke sjellë për pasojë një të vrarë e dy të plagosur. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë së Komisariatit Nr.5 dhe oficerë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit. Dy të plagosurit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, ku mësohet se e kanë kaluar rrezikun për jetën. Grupi hetimor ka nisur verifikimet për zbardhjen e ngjarjes, ka sekuestruar armët dhe ka marrë në pyetje familjarët e viktimës dhe të plagosurve, të cilët kanë shpjeguar rrethanat se si ka ndodhur krimi.
NGJARJA
Familja Bakoçi ka në pronësi rreth 300 krerë bagëti. Ndërkohë familja Islami, e cila banon po në këtë zonë, në afërsi të Zall-Herrit në Tiranë, ka pasur prej afro një viti konflikte për kullotat me familjen Bakoçi. Nazmi Islamaj i kishte kërkuar Shpëtim Bakoçit që të mbante bagëtitë në pronën e vet, në mënyrë që të mos kalonin në kullotat e tij. Për këtë motiv ka pasur konflikte të vazhdueshme mes palëve, që në disa raste është dashur edhe ndërhyrja e forcave të rendit për ti zgjidhur. Ditën e djeshme, ata nuk kanë lajmëruar më policinë që ti jepte zgjidhje problemit, por kanë marrë armët kundër njëri-tjetrin. Pasi ka parë disa dele të Bakoçit, që kishin hyrë në pronën e tij, Nazmi Islamaj i ka kërkuar viktimës në distancë që ti largonte nga aty, më pas ka nisur një debat mes tyre. Nazmi Islamaj ka marrë një automatik në shtëpi dhe ka dalë me nxitim. Nëna e tij, Selve Islamaj, ka tentuar ta ndalojë duke dashur ti merrte armën dhe ka dalë menjëherë pas tij duke iu lutur që ta linte me kaq këtë problem. I biri nuk ka pranuar dhe është drejtuar nga fqinji, i cili gjithashtu kishte marrë një çifte në shtëpi. Brenda pak minutash të dy kanë qëlluar njëri-tjetrin dhe për pasojë, Shpëtim Bakoçi ka mbetur i vrarë, ndërsa janë plagosur nënë e bir.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›