Zbulimi i 2 tonë drogë, 5 veta në pranga, një tjetër në kërkim
SARANDE- Policia e Vlorës në bashkëpunim me atë të Sarandës arrestuan pesë persona, ndërsa kanë shpallur në kërkim një tjetër për drogën që u sekuestrua dy net më parë në gjirin e Kakomesë. Në një rrugicë në anën jugore të këtij gjiri u gjet një kamionçinë frigoriferike, tip Benz, me ngjyre të bardhë dhe targa Vl 22 69 C, që pas hapjes ka rezultuar e mbushur me pako me lëndë të dyshimtë si ajo e marijuanës, si dhe janë gjetur dy armë automatike kallashnikov. Policia bëri të ditur se arrestoi Dritan Binjakaj, 39 vjeç, ndërsa ka shpallur në kërkim vëllain e tij, Bledar Binjakaj, 29 vjeç, të cilët rezultojnë se janë organizatorë të trafikut të drogës, sasia e së cilës është më shumë se 2 tonë. Veç dy vëllezërve, blutë arrestuan edhe bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit Edmond Ferraj, 28 vjeç, Gligor Konomi, 20 vjeç, Ferik Xhelili, 22 vjeç dhe Arsim Binjakaj, 18 vjeç, që të gjithë nga Vlora. Policia zbuloi rreth orës 23:55 të së mërkurës, se një mjet lundrues që kishte ardhur nga Greqia, do të ngarkohej me sasinë e mësipërme të drogës, e cila nga hetimet paraprake ka rezultuar se ishte kultivuar në Lazarat.
KURBIN: Infarkt në zyrë, vdes gjyqtari
LAÇ- Vdes gjyqtari në zyrën e tij pas një infarkti. Vesel Baku, 42 vjeç, ka qenë duke punuar në zyrën e tij në katin e dytë të Gjykatës së Kurbinit, kur papritmas, rreth orës 10:00, sekretari i tij ka dëgjuar një përplasje në zyrë. Ai ka shkuar menjëherë dhe e ka gjetur gjyqtarin në momentet e fundit të jetës. Sekretari ka dhënë alarmin, ndërsa në vend mbërritën menjëherë kolegët e tij, si dhe kreu i Gjykatës, Alfred Gjoni. Ata e dërguan menjëherë në spital, por mjekët konstatuan se gjyqtari kishte ndërruar jetë. Mësohet se Baku kishte kryer dy seanca gjyqësore deri në atë moment, ndërsa kishte edhe tri seanca të tjera për të kryer. Pas ngjarjes, në Laç mbërriti edhe ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi. Ai vlerësoi figurën e këtij gjyqtari dhe i shprehi ngushëllimet familjes së tij. Vesel Baku ishte babai i dy fëmijëve. Ai ishte transferuar rreth 6 muaj më parë, nga Gjykata e Burrelit në Kurbin. r.n