Padova kërkon Erjon Bogdanin
Sa herë që hapet merkato (ajo dimërore, zyrtarisht fillon nga 1 janari) emri i sulmuesit shqiptar Erjon Bogdani do të jetë patjetër në qarkullim dhe i lidhur me disa skuadra të niveleve të ndryshme të futbollit italian. Padova, klubi italian i Serisë B, ku militon edhe sulmuesi tjetër shqiptar Edgar Çani (i huazuar nga Palermo e Serisë A), ka në listën e dëshirave tre objektiva me emra të rëndësishëm, Erjon Bogdani, Bruno dhe Ruopolo. Lajmi jepet nga portali italian Padovaneës.it. Padova e Karlo Sabatinit synon rikthimin në Serinë A, për herë të fundit ka qenë në sezonin 1995-1996, dhe sulmuesi shqiptar i Kievos ndodhet në listën e hartuar nga presidenti Marçelo Çestaro. Në fakt, kontrata e 32-vjeçarit Bogdani me Kievon përfundon qershorin e ardhshëm, pavarësisht se tratativat duken të vështir, gjithmonë nisur edhe nga rroga e lartë që merr Erjoni te skuadra e Serisë A. Për të pasur Bogdanin së fundi kishte shprehur dëshirën edhe trajneri i ri i Katanias (Seria A), Sinisa Mihajloviç. Duke mbetur të merkato e lojtarëve shqiptarë, ditët e fundit u fol edhe për një kalim të Edgar Çanit te Piaçenca, përmes Palermos që zotëron edhe kartonin e futbollistit shqiptar, por përfundimisht u vendos që sulmuesi shqiptar të qëndrojë te Padova deri në fund të sezonit.
26 Dhjetor 2009