Milto Kutali: ”Teatri është dashuri, por jo mbi familjen”
Izaura Ndoj
Është e vështirë ta gjesh larg dyerve të Akademisë së Arteve. Një punë 20-vjeçare si pedagog dhe regjisor e kanë bërë të jetë një dorë e kujdesshme për brezat e rinj. Është një prej regjisorëve më të talentuar të teatrit dhe kinemasë shqiptare gjatë këtyre 20 viteve, pasi ka një pafundësi veprash në galerinë e tij. Regjisori Milto Kutali tashmë është bërë një prej emrave të suksesshëm, i cili për atë që ka sjellë në skenën shqiptare ka marrë vlerësimin maksimal të publikut. Sipas tij, komedia është gjinia më e dashur për vetë faktin që edhe natyra e tij optimiste, prirja e tij për t’i marrë gjërat gjithmonë me një sy që mund të zgjidhen, tregon një të vërtetë. Ndërsa situatën teatrore në vend e cilëson si një institucion që nuk mund të kristalizojë statusin e artistit. “Arti shqiptar duhet të zgjidhë një problem në vetvete. Do t’i bëj një thirrje elitës artistike shqiptare, duhet të kultivojmë një ndjenjë dashurie njerëzore mes njëri-tjetrit dhe kjo do të fillojë pastaj të prodhojë edhe disa raporte me vlerë në art”, - theksoi Kutali. Momentalisht po punon me disa vepra për t’iu shfaqur publikut jo vetëm si regjisor, por edhe si autor-regjisor.
Si ka nisur rruga drejt regjisurës për Milto Kutalin?
Që i vogël kam qenë pjesë e aktiviteteve në shkollën tetëvjeçare “Ylli Kuqi” në Laprakë, ku kam marrë aty edhe formimin tim fillestar. Atje, falë një dëshire të mirë të një mësueseje të muzikës dhe bashkëshortit të saj, i cili ishte një person që merrej atëherë edhe me botën e teatrit, unë isha pjesë e grupit artistik të shkollës, pasi kisha një pasion për këngën. Një ditë prej ditësh më caktuan që të merrja pjesë në një komedi, një pjesë teatrore që vihej në shkollë. Kjo pa dyshim që mori çmimin për interpretimin më të mirë në konkursin që bëhej ndërmjet shkollave të Tiranës, dhe kështu kalova në Pallatin e Pionierëve, që sot është Qendra Kulturore e Fëmijëve, në rrethin e quajtur të teatrit. Aty, për herë të parë kam takuar njerëz që s’i kisha ëndërruar se mund t’i shikoja ndonjëherë në jetën time. Këtu vlen të bëjmë edhe disa profeksione ndërmjet së kaluarës tonë dhe së tashmes, këtyre që janë sot gjeneratat e reja që aspirojnë për artin. Unë sot nuk e ndiej një veneracion të tillë, ndërsa ne atëherë e shikonim si perëndi Kadri Roshin; apo në rastin e parë, ku unë kam parë në studio të madhin Prokop Mima, i cili do të ishte njeriu që do të më drejtonte për disa kohë në Pallatin e Pionierëve, sigurisht që më është dukur si një nga nderet më të mëdha që mund t’u bëhej fëmijëve në botë. Kështu ka nisur rruga ime në Pallatin e Pionierëve, në rrethin e teatrit, të ashtuquajtur të estradës, me pedagogë të tillë sikundër thashë artisti i popullit Prokop Mima, me artistë të njohur si Anastas Kristofori, Ahmet Pasha, Vilson Gjoça në teatrin e humorit, i cili ishte më të vërtetë një pedagog i mrekullueshëm që i donte shumë fëmijët, dhe kam kënaqësinë të them që e sot e kësaj dite ka ngelur i ri dhe vazhdon të punojë me fëmijët dhe vetëm për fëmijët. Më vonë kam punuar edhe me gjeneralin e skenës, i cili ishte Pirro Mani. Ndoshta këto ishin dhe ngacmimet e para për regjisurën.
Në vitet ‘80 sapo kisha mbaruar gjimnazin; përsëri nuk kisha hequr dorë nga të marrit me teatër. Gjatë asaj periudhe kam luajtur në një film të Sajmir Kumbaros dhe mendoja gjithmonë për të qenë pjesë e Akademisë së Arteve duke iu nënshtruar konkursit të kandidatëve për studentë. Sot, kur kam 20 vjet që jap mësim në Akademinë e Arteve, them se më ka bërë shumë mirë që nuk fitova; për hir të së vërtetës nuk dua të bëj krahasime me të tjerët, por unë nuk është se dhashë ndonjë kontribut të veçantë gjatë konkursit. Sot e them me bindje se atëherë ka ndodhur një e vërtetë e madhe për mua. Por një gjë që më ka ngelur peng një vit më pas, kur unë vijoja punën dhe merresha me teatrin amator, drejtoja një rreth të teatrit në qendrën e pionierëve, gjatë konkursit kam pasur një përfaqësim shumë dinjitoz. Atëherë u jam nënshtruar detyrimeve të kohës dhe ligjeve, dhe më duhej të prisja. Kështu që edhe ajo kohë kishte kusuret e veta, dhe çuditërisht kam pasur relacione të mrekullueshme me njerëzit e artit. Pas disa vitesh, që ndoshta kisha hequr edhe dëshirën, edhe shpresën për t’u rifutur në Akademinë e Arteve, Skënder Plasari më takon në rrugë dhe më thotë se “si mund ta bësh një gjë të tillë? Ti, pa dyshim që duhet të vish në shkollë edhe një herë tjetër”. Unë, sigurisht që kisha bërë edhe një lloj refleksioni, pasi vija në shkollë në një moshë 25-vjeçare, dhe jo si një 18-vjeçar. Kështu që mendova se ishte gjëja më e mirë që të futesha për regjisurë, pasi ishte mosha e artë në atë kohë, dhe vlen të theksoj një fjalë të Stanislavskit që thoshte: “Nëse do të merresh me regjisurë është më mirë që përpara të keni bërë disa punë”. Regjisura për mua ishte me të vërtetë një zgjidhje racionale dhe jam i kënaqur për këtë, edhe pse aktrimi ngelet një ëndërr në sirtar e imja.
Pse jeni i prirur që në pjesën më të madhe në skenë vendosni komedi?
Kam përshtypjen që nuk qëndron ky raport sepse faktikisht, sidomos në dhjetë vitet e fundit, të cilat janë edhe 10 vitet më aktive të jetës time, them pa frikë se kam 50 vepra skenike të vëna në skenë, dhe po të bëj një numërim midis veprave dramatike dhe komedisë, del që raporti është në favor të dramës. Është një e vërtetë e madhe që e dua komedinë. E dua komedinë, ndoshta kjo vjen edhe nga natyra ime optimiste, prirja ime për t’i marrë gjërat gjithmonë më një sy që mund të zgjidhen. Komedia i shikon më lehtas zgjidhjet, ndërsa drama të nxjerr me një fund tragjik. Por, gjatë këtyre 10 viteve të fundit është prirja ime për t’iu përkushtuar komedisë së zezë, ku njerëzit vërtet edhe të qeshin, edhe të argëtohen, qoftë me situatat që krijohen, qoftë me personazhet që u servirën, por njëkohësisht do të thosha sarkazmën e madhe, dramën e madhe njerëzore, shprishjen e njeriut, por edhe në të njëjtën kohë për t’iu vënë në shërbim atij. Prandaj dhe them që më pëlqen komedia. Procesi i katarsisit të vetë asaj, por edhe timit si artist në një relacion më të qëndrueshëm, është bota e komedisë.
Si e shikoni situatën teatrore në vend?
Një profil i bukur, pa dyshim, që nuk mund ta mohoj, një ballor të bukur, prandaj le t’i biem ballit. Nuk është një situatë e këndshme, nuk është një situatë profesionale, nuk është një situatë artistike, siç e meriton kultura shqiptare, edhe pse në këtë moment ku ne ndodhemi, ku kemi 20 vjet që themi që jetojmë në një tranzicion, duhen përjashtuar ca parametra dhe krahasime të tilla. Unë mendoj se pas viteve 2000-2002 kanë qenë të gjitha shanset, të gjitha gjasat që edhe kultura shqiptare në përgjithësi, por sidomos ajo e arteve skenike, më specifikisht ajo e teatrit, duhet të largohet nga të tilla prapamendime apo justifikime. E them hapur, ajo çfarë i mungon sot teatrit është që teatri shqiptar ende nuk po kristalizon një status të vetin si institucion. Këtë nuk e them për Teatrin Kombëtar, por që aty duhet të fillojë, pasi ai është institucioni bazë. Teatri mbarëshqiptar akoma nuk e sqaron dot këtë status të vetin, nuk po kristalizon dot një strategji të zhvillimit të sotëm të ruajtjes së traditës së vyer që ka pasur. Dhe sidomos të mendimeve perspektive të zhvillimit të tij. Duhet të ishte i mbështetur dhe të vinte mbi bazat e një repertori dhe disa kolonave të qenësishme, siç janë teatri i antikës greke-romane dhe sidomos i kulturës shqiptare, teatri shqiptar ku duhet të sundonte drama muzeale përfaqësuese, teatri, rilindja europiane e Shekspirit, teatri bashkëkohor dhe kur them bashkëkohor, do të kishim se s’bën një Pirandello, një Artur Miler apo kolosët e teatrit, pastaj të shikonim edhe përqasjet me zhvillimet e sotshme të botës teatrore në përgjithësi në botë dhe të përballeshim me të. Unë mendoj se spontaniteti, improvizimi, vlera sporadike e shoqërojnë hera-herës Teatrin Kombëtar shqiptar.
Kush janë problemet e shkollës së teatrit dramatik në Shqipëri?
Do ta merrja guximin që sot, pas 20 vitesh, si pedagog i kësaj shkolle, të jepja mendimin tim. Ajo që vlen të thuhet për të mirën që e shoqëroi këtë institucion është fakti që kapërceu mjaft mirë, do të thosha, fazën e viteve të para të postdemokracisë. Në vitet ‘92, ‘93, ‘94 shkolla mund të mohonte fizionominë e saj, mohonte traditën e saj, kërkesat edhe të Miltos, duke mos iu vënë damka të tjerëve dhe të shpëtojmë vetveten, ishin që kjo fryma e mohuar gjatë 50 viteve vinte fuqishëm edhe në shkollën teatrore shqiptare. Dhe ndoshta do të bënim gabimin më fatal të jetës tonë që do të mund t’i humbnisim 40 vite të jetës së saj, 40 vite të kristalizimit të shkollës shqiptare, ku më tepër do të flisja për artin dramatik, pasi për muzikën dhe pikturën nuk mund të marr përsipër të flas. Kapërcimi i kësaj faze, sidomos pas viteve ‘95-’96, ku nuk u bënë ato që mendoheshin se do të bëheshin, them se e futën shkollën shqiptare në disa shina të qëndrueshme, ku krahas kultivimit, zhvillimit, përsosjes, asaj që kishin sjellë kolosët e mendimit artistik shqiptar si Esat Oktrova, Pirro Mani, Vangjush Furrxhi, Gëzim Kame, e shumë personalitete të vyer të kësaj shkolle, ne ta ruanim, ta përsosnim, ta çonim më tej një gjë të tillë, pa dyshim duke krijuar xhepa apo provat apo eksperimentet e reja të botës ushtrimore formuese të artit. Ajo që është problematike sot në shkolla është ajo që ende nuk zgjidh dot probleme madhore si projektet artistike. Pas viteve ’97, në zemrën e kësaj fidanishteje që përgatiste artistët e rinj, rikrijuam Teatrin e Akademisë së Arteve dhe patëm fillime të shkëlqyera. Kishim pjesëmarrjen e 100 artistëve dhe ndaheshin në tri formacione artistësh ku tregonin se ky teatër kishte vlera dhe në të njëjtën kohë të shërbente si një model i mirë i kozmosit të formimit të artistit shqiptar. Gjatë asaj kohe u vendosën vepra botërore më në zë dhe e them me bindje që janë pritur jashtëzakonisht mirë. Por çuditërisht, pas këtyre 3 viteve të mrekullueshme, ndodh një shkatërrim i madh. Kjo lidhet edhe me ato që institucionet tutore, në rastin konkret Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës, nuk treguan kujdesin e duhur për ta mbajtur, dhe më vjen shumë keq që kjo reflektohet edhe te studentët, ku me dhjetëra projekte studentore nuk marrin dot asnjë financim të thjeshtë, qoftë për dekoret, dhe studenti detyrohet të bëhet pjesë e kompromiseve apo e një lufte të madhe për të kërkuar dy lekë.
Si e shpjegon që shumë personalitete të teatrit dhe aktrimit mbetën ato të viteve ‘80 dhe shumë pak gjatë kësaj periudhe?
Unë do ta ndaja në dy vende. E para, jo për të mohuar vlerat e këtyre gjigantëve të skenës shqiptare, unë do të them që ka një karakteristikë objektive që e cenon vlerën e artistit të skenës deri në një farë mase. Kjo ka të bëjë në përgjithësi me shpërndarjen e madhe të kulturës artistike. Nëse ne dikur kishim një teatër opera që bënte një shfaqje në vit, sot kemi 10 apo më shumë. Mediat e ndryshme, format e ndryshme konceptuale kanë ndikimin e tyre, e shpërndajnë jehonën. Një nga arsyet e tjera është ajo që ne po themi, pasi mendoj që shkalla e përgjegjshmërisë dhe ndërgjegjshmërisë sot nuk është në shkallën e idealizmit që kanë pasur më përpara. Kjo vjen për dy arsye, të cilat janë; arsyet madhore ekonomike, pasi bota nuk të fal ndonjë famë të madhe sepse në Shqipëri nuk ka ndonjë senator të artit. Besoj se e dini si ka vdekur i ndjeri Kadri Roshi, një artist i madh. E dyta ka të bëjë edhe me aspektin tjetër që sa do të mundin ato, pasi sot është një konkurrencë shumë e madhe dhe përballja me këtë konkurrencë të madhe, futja e metodologjive dhe e formave pranojnë që kjo shoqëri e hapur nuk mund t’i ndalojë dot, nuk mund t’i mohojë dot duke e shtyrë artistin ndonjëherë drejt sprovave të gabuara dhe çon që sot më shumë të kemi një linjë të përgjithshme dhe të mos kemi zhvillime të fuqishme cilësore.
Kush është raporti juaj mes dashurisë dhe teatrit?
Them që dhe teatri është dashuri. Normalisht që nuk mund të përjashtohet kjo lidhje, ky ambiguim po e quajmë gati-gati në kufijtë e Romeos dhe Zhulietës, mes teatrit dhe njeriut. E kam shprehur edhe njëherë tjetër dhe sot, pas kaq vitesh, e them me bindje se gruan time, familjen time nuk e ndaj për teatrin.
Sipas jush, cilat janë problemet me të cilat përballet arti në përgjithësi?
Arti shqiptar duhet të zgjidhë një problem në vetvete. Do t’i bëja një thirrje elitës artistike shqiptare; duhet të kultivojmë një ndjenjë dashurie njerëzore mes njëri-tjetrit dhe kjo do të fillojë pastaj të prodhojë edhe disa raporte. Nuk më vjen turp ta them që i kam shumë zili sportistët për dashurinë njerëzore që kultivojnë ndaj tjetrit, sidomos jashtë fushës së lojës. Do të kisha një dëshirë të madhe që edhe ne artistët të huazonim një element shumë të rëndësishëm të jetës së tyre. Mendoj se sporti dhe arti janë dy bashkudhëtarë që duhet të marrin dhe të promovojnë shumë gjëra. Ky është momenti i parë. Momenti tjetër ka të bëjë me atë që duhet t’u falim institucioneve artistike, në rastin konkret atyre teatrore, njerëz të cilët e duan me të vërtetë drejtimin e institucionit, të përkushtohen në drejtimin e institucionit për aq kohë sa e marrin përsipër.
Kush janë momentet e mërzitjes për Milton, me kë i kalon?
Përgjithësisht nuk janë shumë. E thashë dhe më lart, gjithmonë hyj në radhën e atyre njerëzve që gjërat i shikojnë me zgjidhje. Për hir të së vërtetës, këto 15 vitet e fundit jam bërë besues në atë që dora e Zotit vendos, besues në atë që e mira, në një formë apo në një tjetër, vendos disa fate, vendos disa rregulla. Kështu që i kam të pakta momentet e mërzitjes. Sa herë që kam pasur momente të vështira, kam bërë punë të mira, edhe pse ndonjëherë këto kanë qenë edhe punët më të rëndomta vetëm e vetëm që ta mbaj vetën në punë. Momentet e mërzitjes i kam shumë të këqija në 10 apo 15 minutat e para, dhe atëherë fshihem që të mos përplasem dhe përgjithësisht i kaloj vetëm.
Kush është momenti më i bukur dhe më i vështirë gjatë karrierës tuaj?
Ka pasur shumë momente të bukura. Një moment shumë i bukur dhe shumë i vështirë ka qenë shfaqja “Rinoceronti”. Në atë kohë një pjesë e familjes ishte jashtë dhe më është dashur që në 10 apo 15 ditët e fundit kur do të dilte premiera, babai merr guximin dhe shkon të bëjë një operacion në spital. Mua më duhej që të punoja nga mëngjesi deri në 3 pasdite, pastaj që në 5 pasdite deri në mëngjesin tjetër duhej të rrija në spital.
Çfarë është familja për Milton?
Pa dyshim që është gjëja më e shtrenjtë dhe më e shenjtë që mund të ketë qenia njerëzore. Kjo ka të bëjë edhe me komedinë ”Romancë dashurie”, e cila është një vepër e dashur për mua, sepse mesazhi i kësaj vepre ka qenë kredoja ime për jetën familjare.
Çfarë i duhet sot filmit shqiptar?
Pa dashur të marr përsipër njeriun e botës së filmit, pasi nuk jam, kërkoj falje, por si një amator dhe dashamirës i këtij arti shumë të dashur për ne shqiptarët; gjatë këtyre netëve të mërzitshme jam goditur teksa shihja “Njeriu i yjeve” të Xhuzepe Donatores. Çfarë më pëlqeu? Thjeshtësia se si ky artist i botës së madhe të filmit i tregonte gjërat. Kërkesa e parë për artistët shqiptarë, për skenaristët, regjisorët, por sidomos në rastin kur regjisori dhe skenaristi janë obliguar me njëri-tjetrin, më mirë të përpiqen të na tregojnë diçka sa më të thjeshtë dhe të jenë të bindur që do ta kenë bërë bukur.
Si e shikon veten te komedia regjisori Milto Kutali?
Është një botë që më pëlqen, pasi unë vetë jam një aktor i karaktereve. Në komedi karakteret janë shumë më të spikatura, ndoshta kjo vjen për faktin se unë vet nuk pretendoj të jem një aktor dhe është gjëja më e mirë për një artist të dijë se deri ku i ka hapësirat dhe kufijtë e vet. Bota e komedisë gjithmonë këtë ta ofron dhe krijon situata. Engelsi ngelet pa dyshim një figurë shumë e madhe e përcaktimit filozofik, sigurisht në studimin e madh që i bëri Shekspirit me analiza e detaje, gjë të cilën unë përpiqem ta bëj pjesë të punës time. Shpirtit tim dhe mënyrës time të punuarit komedia i jep më shumë produktivitet.
Ka ndonjë peng brenda teje në lidhje me artin skenik?
Shumë pengje...! Një ditë, një miku im më tha: “Milto, ke pasur shumë suksese në veprën ‘Kësulëkuqja’”. Pati një jehonë ndërkombëtare dhe falënderoj studentët e mi për interpretimin e mrekullueshëm që sollën. Shumë personalitete të botës së artit iu kundërvunë asaj vepre. Sot e kam peng dhe mbase ka ardhur momenti që t’i rikthehem një vepre të tillë, po asaj, po përpiqem. Juve po jua zbuloj sekretin, pasi ai është një peng i imi për të qortuar përsëri shqiptarët, bashkëkombësit e mi, që shpeshherë mundohen të kapërcejnë ylberin.
Gjatë mesit të dhjetorit erdhi komedia “Romancë dashurie”. Si lindi bashkëpunimi ndërmjet Trebickës, Asqeriut dhe Bishës?
Këtë vepër e kisha punuar me shumë dashuri në vitin 2001, me një treshe shumë simpatike; Genci Fugën, Rozina Kostanin dhe Roland Trebickën. Kësaj radhe ishte diçka krejt ndryshe, duhet ta pranoj që ishte një ftesë e tyrja dhe patjetër një dëshirë e imja, pasi kjo hyn në fondin e veprave të dashura për mua. Jam shumë i kënaqur sepse kur i rikthehesh një vepre plotëson ca gjëra, ndoshta dhe unë plotësova një mangësi të punës time, pasi si në rastin e parë, si në rastin e dytë, kam pasur kënaqësinë e madhe për arritjet. Kemi pasur në të dyja rastet interpretim të ndryshëm. Trebicka kishte një rol tjetër radhën e parë që është vënë vepra, ka qenë invers dhe ajo çfarë më pëlqente ishte fakti që unë operoj përgjithësisht me aktorë që në pamje të parë, po t’i shikosh, nuk kanë afinitete në karaktere me njëri-tjetrin, dhe kjo e bën që të harmonizohen bukur. Trebicka mbetet gjithmonë një artist i madh i komedisë, i cili di të procedojë bukur me karaktere të tilla që mbartin mbi vete një dramë njerëzore; Bujar Asqeriu, një aktor me një karakter shpërthyes dhe Anila Bisha, me një karakter të brishtë që shpërthen në momentin e duhur. Te “Romancë dashurie” kemi një personazh që vetëflijohet në një farë mënyre duke u larguar nga dy njerëz të dashur.
Kush janë projektet tuaja për vitin 2010?
Në këto 10 vite kam krenarinë të them që jam regjisori që kam vënë më së shumti dramën kombëtare shqipe të gjithë hapësirës. Them të rivazhdoj rrugën drejt dramës, pasi kam marrë një ftesë nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar, të cilët do të organizojnë një festival në maj të këtij viti, me rastin e 65-vjetorit të Teatrit Kombëtar, por edhe si obligim ndaj disa miqve të mi artistë, dramaturgë, të cilët më kanë ofruar veprat e tyre që ndoshta jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, Durrës dhe Korçë, të rivendos vepra të tilla. Kam dy-tri projekte të tilla në duar, dhe them që i kam të afërta; ndoshta më e afërta është një dramë që më tërheq edhe me rastin e asaj që quhet viti i artë, pasi kemi edhe 65-vjetorin e Europës. Mund të them vetëm që është një vepër e shkruar nga miku im Arben Iljazi dhe është një dramë njerëzore. Ndoshta viti 2010, edhe për faktin që fundi i 1999-2000-shit korrespondonte me “Kësulëkuqen”, ndoshta do të sjellë një vepër të Milto Kutalit jo thjesht si regjisor, por edhe si autor-regjisor.
26 Dhjetor 2009