E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padrejtësia

Listës së gjatë të të metave në sistemin e drejtësisë në vend, iu shtua edhe një raport tjetër. Kësaj here, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në dokumentin e publikuar të martën, në praninë e shefit të kësaj organizate, Werner Almhofer dhe Fejzullah Hasanit, kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës, OSBE-ja ka analizuar të metat e mëdha që ka ky sistem, kur është çështja e proceseve gjyqësore që kanë të bëjnë me krimet e luftës në Kosovë.
Ky raport përfshin periudhën dhjetëvjeçare, nga viti 1999-2009 dhe në të janë përfshirë të metat duke filluar që nga vonesat e stërzgjatura nga ana e Prokurorisë, ngritja e aktakuzave, mbrojtja e dëshmitarëve apo kërcënimet ndaj gjyqtarëve e deri te rekomandimet që janë dhënë. Në të metat e këtij raporti është përfshirë edhe misioni i EULEX-it, i cili, sipas të dhënave, thuhet se nga 20 prokurorë, vetëm dy janë të ngarkuar për të hetuar krimet e luftës.

Konfuzioni lidhur me atë se cili ligji duhet të zbatohet në rastet e krimeve të luftës, sipas dokumentit, veçanërisht në vitet e hershme pas konfliktit, i ka kontribuuar numrit të madh të rigjykimeve në rastet e krimeve të luftës. “Ky trend negativ çoi në gabime që rezultuan në prishjet pasuese nga Gjykata Supreme, që i kthente rastet prapa në rigjykim”, thuhet ndër të tjera në këtë raport. Por fajin për këtë, raporti ua hedh edhe gjyqtarëve ndërkombëtarë, të cilët faktikisht në pjesën dërrmuese të çështjeve që kanë pasur të bëjnë me krime të luftës, i kanë pasur ata. “Ky problem ishte përkeqësuar nga ndryshimet e shpeshta të aktorëve ndërkombëtarë në sistemin gjyqësor, që vinin nga sisteme të ndryshme gjyqësore dhe kishin interpretime të ndryshme të ligjit, të cilat mund të kenë qenë të ndikuara nga juridiksionet e veta”, thuhet në dokumentin e publikuar.

Madje për këtë, raporti përmend një shembull në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, kur një i pandehur serb i Kosovës, ishte ngarkuar me kryerjen e veprës penale të gjenocidit.

“Më 18 janar 2001, kjo gjykatë e dënoi atë me 14 vjet burg. Duke vendosur sipas ankesës, më 31 gusht 2001, Gjykata Supreme e Kosovës e ktheu prapa rastin në rigjykim”, thuhet në raport. Më vonë, e njëjta gjykatë, me përbërje nga vetëm gjyqtarë ndërkombëtarë, shpalli të pandehurin fajtor për kryerjen e veprës penale të krimeve kundër popullatës civile dhe e dënoi atë me 12 vjet burgim. Por Gjykata Supreme e Kosovës duke vendosur sipas ankesës, e ktheu përsëri rastin në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe një kolegj i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë, përsëri e dënoi të pandehurin, me tetë vjet burg. “Duke vendosur sipas ankesës, më 7 tetor 2009, Gjykata Supreme me një kolegj gjykues të përbërë vetëm prej gjyqtarëve të EULEX-it, e liroi të pandehurin nga të gjitha akuzat”, thuhet në këtë shembull.

Por të metat në sistemin e drejtësisë për rastet që kanë të bëjnë me krime lufte, duket se shpesh i krijojnë edhe vetë gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë. Fakt për këtë jepet shembulli i ndërrimit të shpeshtë të tyre për këto dhjetë vjet. Kjo ka bërë që një rast i nisur nga një prokuror apo gjyqtar ndërkombëtar, vështirë se e ka përfunduar nga të njëjtit. “Kjo është bërë për shkak të kontratave relativisht afatshkurtra dhe delegimit të gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë që punojnë në Kosovë. Shumë prej këtyre gjykatësve dhe prokurorëve mbajnë postet e tyre në juridiksionin e vendit të tyre dhe mund të qëndrojë në Kosovë për një periudhë të caktuar, ndonjëherë jo më shumë se një ose dy vjet”, shkruan më tej në këtë raport të gjatë, një pjesë e mirë e të cilit është e mbushur me historinë e sistemit të drejtësisë në vend.

Sa u përket konkluzioneve që jep OSBE-ja në lidhje me këtë çështje, ka më shumë se dhjetë vjet që edhe pas përfundimit të luftës, sistemi gjyqësor në Kosovë vazhdon të dështojë që në mënyrë adekuate të vërë në prioritet gjykimin e rasteve të këtyre krimeve.

“Një tjetër çështje që pengon zgjidhjen e rasteve të krimeve të luftës është mungesa e një programi për mbrojtje të dëshmitarëve. Mungesa e një programi të tillë është një pengesë e madhe në mbledhjen e dëshmive përkatëse”, thuhet në konkluzionin e raportit të OSBE-së.

Sipas kësaj organizate, gjatë periudhës së raportimit, ka pasur një mungesë të prioriteteve të rasteve të krimeve të luftës brenda sistemit gjyqësor.
“Nuk janë ndarë kurrë resurse adekuate për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë”, shkruan në këtë dokument.

Pasi shpjegohen vështirësitë e hetimit të krimeve të luftës, për arsye të ndryshme, raporti sqaron se edhe në Kosovë, ka pasur një numër të rasteve ku dëshmitarët janë vrarë, larguar, kanë tërhequr dëshmitë e tyre të mëparshme, ose thjesht nuk kanë pranuar të japin dëshmi.

“Po që se këto raste do të ishin trajtuar menjëherë pas konfliktit, shumë nga problemet e mësipërme do të ishin lehtësuar, duke përfshirë sigurimin e pranisë së personave të akuzuar në gjykim. Siç qëndron tanimë, do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të gjykuar të gjitha rastet e tjera”, shkruan më tej në këtë raport.

Ndër rekomandimet për institucionet e Kosovës në përgjithësi thuhet se ato duhet të merren me këto raste, kurse për ato ndërkombëtare të ofrojnë mbështetjen e tyre në të gjitha aspektet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›