E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafajësia e Ilir Metës, varka e shpëtimit për Dritan Priftin

Tiranë- Vendimi që Gjykata e Lartë dha për Ilir Metën, mund të jetë barka e shpëtimit edhe për Dritan Priftin. Ish- ministri i ekonomisë dhe zëvendësi i tij Leonard Beqiraj, janë vënë nën akuzë për korrupsion, bazuar pikërisht mbi një video që vetë Prifti kishte xhiruar në momentin kur ata të dy po ndanin një sasi parash për rreth 70 mijë Euro.

Por a është kjo një provë e ligjshme për t’i akuzuar këta zyrtarë? Avokatët e dy ish zyrtarëve të vënë nën akuzë, nuk e kanë patur të vështirë të gjejnë argumentin e mbrojtjes.

Avokati i Priftit, Fatmir Braka, që në seancën e parë të procesit gjyqësor në Gjykatën e Lartë, tha se të gjitha veprimet hetimore dhe materialet që janë bërë pjesë e fashikullit të gjykimit, janë të pavlefshme. Mes tyre avokati solli si argumentimin tejkalimin e kompetencave të prokurorise së kryeqytetit, kur regjistroi hetimin ndaj Priftit, i cili sipas mbrojtjes duhej të hetohej nga Prokuroria e Përgjithshme dhe jo nga ajo e Tiranës, pasi ishte deputet dhe gëzonte mbrojtje.

Mbi të gjitha, avokatët e Priftit dhe Beqirajt kërkuan pushimin e çështjes pasi prova e vetme që ka në dorë prokuroria është vidoja e regjistruar nga Dritan Prifti. Por kjo provë, sipas tyre, është rrëzuar nga e njëjta gjykatë në procesin ndaj Ilir Metës.

Ekspertiza e ekspertit amerikan Glen Bart është shpallur e pavlefshme nga vetë Gjykata e Larte, gjatë shqyrtimit të dosjes Ilir Metës-  tha avokati Braka. Ai iu referua edhe vendimeve të mëhershme të të njëjtës gjykatë, njëri që flet për çështjen e imunitetit, në rastin e ish- ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu dhe tjetri e Janarit 2012, për procedimin e bashkëlidhur në dosjen Meta, për të cilën gjykata ka arritur në konkluzionin se fakti nuk egziston.

Tashmë duhet të presim nëse gjykata do t’i japë fund kësaj historie, duke i mbyllur të dyja çështjet apo do të ndjekë një tjetër standard për Priftin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›