Paga minimale, 20 mijë lekë në muaj
Paga bazë minimale në shkallë vendi, e detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo person juridik apo fizik, vendës ose i huaj propozohet të jetë 20 000 lekë në muaj nga 19 000 që është aktualisht, duke u rritur 5,3 %. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, gjatë të cilit është miratuar rritja e pagës minimale në masën e 20 mijë lekëve në muaj, që do jetë e njëjtë për punonjësit e sektorit publik dhe privat. Rritja e pagës minimale vjen nëpërmjet projektvendimit të përgatitur nga Ministria e Punës “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi“. Por që të hyjë në fuqi projektvendimi i Ministrisë së Punës duhet që ai të marrë edhe miratimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkaq, megjithë kohën e miratimit të tij, në projektvendim parashikohet që efektet financiare të fillojnë nga data 1 korrik e vitit 2011. Ndër të tjera në projektvendim është parashikuar edhe paga orare në masën 115 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme ose jashtë kohës normale të punës. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., që shkojnë mesatarisht 50% mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 30 000 lekë në muaj. Rritja e pagës minimale në shkallë vendi ka për qëllim rritjen e nivelit të kontributeve që paguajnë bizneset dhe shteti për punonjësit. Pasi sa më e lartë të jetë paga minimale, aq më i lartë është kontributi që paguhet për sigurimet shoqërore. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës është diskutuar edhe për rishikimin e draftit të Kodit të Punës me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE si dhe propozimet e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve (DhKPVK) për heqjen e tarifës doganore për lëndën e parë të kësaj industrie.
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjes dhe Këpucëve kërkoi që ndryshimet në ligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore“, që po diskutohen në komisionet parlamentare të përfshijnë edhe heqjen e tarifës doganore 10%, për lëndën e parë të industrisë së konfeksioneve, me arsyetimin se kjo tarifë përbën kosto të lartë për prodhimet e tyre dhe nuk i jep mundësinë e konkurrimit me vendet e rajonit.
Ministri i Punës, Spiro Ksera, vuri në dukje se industria e fasonit është shumë e rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit ndaj edhe qeveria në vazhdimësi e ka mbështetur këtë industri nëpërmjet ofrimit të lehtësirave fiskale. Sipas tij, falë politikave të ndërmarra nga qeveria, niveli i punësimit në tremujorin e parë të këtij viti është rritur me 0.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe po ashtu ulje ka pësuar edhe niveli i papunësisë. Ndaj ministri i ftoi anëtarët e KKP të miratonin ndryshimet e propozuara nga përfaqësuesja e DhKPVK. Propozimet u miratuan dhe do t’i bëhen prezente komisioneve të Parlamentit, gjatë diskutimit të projektligjit të propozuar nga qeveria. Po ashtu, Ministria e Punës, në mbledhjen e djeshme i informoi anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës se tashmë do të rifillojë puna për rishikimin e draftit të Kodit i Punës, në bashkëpunim me ekspertë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), me qëllim përafrimin e plotë me legjislacionin e BE.