Naço: Nuk kanë respektuar afatet, do anulohen kontratat e HEC-ve
Ministria e Ekonomisë është gati të zgjidhë 15 kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-eve për parregullsi dhe mosrespektim të kontratave. Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, ka reaguar ashpër dje gjatë Workshopit Biznesi për biznesin “Hidrocentralet në Shqipëri-Kompanitë lokale dhe ndërkombëtare, potenciali i bashkëpunimit”, i cili u organizua nga International Finance Corporation (IFC), në bashkëpunim me Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipëri në lidhje me koncesionet në fjalë duke nënvizuar se nuk do të tolerojë asnjë kontratë jashtë ligjit dhe rregullave. Ministri Naço theksoi se nuk mund të rri “duarkryq” në rastin e një kompanie që ka marrë koncesionin në vitin 2007 dhe akoma nuk ka bërë regjistrimin në QKL apo të një koncesionari tjetër, që kontrata parashikonte rritjen e kapaciteteve instaluese, ndërkohë që nga ana e tij deri tani nuk është bërë asnjë investim. “Ne nuk mund të tolerojmë që këto investime dhe projekte me rëndësi kombëtare të mbeten peng i disa kompanive fantazmë, siç po na rezultojnë në disa raste, të cilët janë kthyer në sekser në dyert e kësaj Ministrie për të shitur kontratën koncesionare në dhjetëra apo në qindra mijëra euro”- u shpreh ai. Sipas tij, do të ishte e patolerueshme për ekonominë shqiptare që nga rreth 98 koncesione të marra vitet e fundit, disa prej tyre të mbeten vetëm në letër, në një kohë kur janë me dhjetëra kompani serioze, vendase dhe te të huaja, të cilat janë gati të investojnë kapitalin e tyre për të përfunduar këto projekte dhe shtuar kapacitetet gjeneruese energjetike në vend. Gjithashtu, ministri Naço bëri me dije se METE është në përfundim të hartimit të dokumentacionit të nevojshëm për hapjen e garave për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës, me një fuqi të llogaritur mbi 300 MW; të hidrocentraleve mbi lumin e Osumit, me një fuqi të llogaritur prej rreth 100 MW; si dhe të hidrocentraleve mbi lumin Drini i Zi, ku më i rëndësishmi është Skavica, me fuqi të llogaritur prej rreth 350 MW.