E Diel, 1 Nëntor 2026

Paga minimale, paguhemi 12 herë më pak se në BE

TIRANE - Një shqiptar me pagë minimale paguhet 12 herë më pak se sa një qytetar me pagë minimale në Luksemburg. Të dhënat e fundit të Eurostat lidhur me pagat minimale në vendet e Bashkimit Europian tregojnë për diferenca të jashtëzakonshme me vendin tonë.

Nëse i hedhim një sy asaj çka ofron raporti i Eurostat, dalim në përfundimin se i vetmi vend në BE që ka pak a shumë të njëjtin nivel page minimale sa ne është Bullgaria, e cila e ka këtë pagë 22.1 mijë lekë, ndërkohë që ne e kemi 22 mijë lekë. Më pas vjen Rumania, me një nivel page minimale 24.8 mijë lekë, kurse pas saj Letonia, me 40 mijë lekë. Në kategorinë e parë të vendeve me paga minimale të ulëta janë 11 shtete, dhe në këtë grup mbyllja është me një pagë minimale 400 euro.

Ndërkohë që nëse krahasimin do ta bënim me vende të tjera të klasifikuara në grupin e dytë, diferenca në paga minimale është e lartë. E para që nis këtë grup është Portugalia, me një pagë minimale prej 566 eurosh dhe e fundit është Sllovenia, me një pagë minimale 784 euro. Grupi i tretë është edhe ai me pagat minimale më të larta, ku rekordin e mban Luksemburgu, me 1874 euro, ndërkohë që vende të tjera të kësaj kategorie janë Belgjika, me 1502 euro dhe Franca me 1430 euro.

Gjithsesi, sipas studimit të Eurostat, situata është më ngushëlluese për vendet me paga minimale më të ulëta, pasi të përkthyera në fuqi blerëse, ka më shumë toleranca, pasi nivelet e çmimeve janë të ndryshme.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›