Bashkia e Tiranës, thirrje eksponentëve të PS: Mos nxisni dhunën dhe ndërtimet pa leje
Inspektorati Ndërtimor ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Tiranë. Sot ky aksion ka vijuar gjatë paradites me prishjen e një shtese pa leje në katin e sipërm të një pallati, në rrugën “Muzakët”, në Njësinë Bashkiake Nr. 9. Përveç prishjes se ndërtimeve pa leje aksioni i inspektoratit dhe Policisë Bashkiake ka vijuar me sekuestrimin e betonierëve dhe objekteve të tjera që ndihmojnë në ndërtimin e objekteve pa leje në Tiranë.
“Ne po vijojmë aksionin, siç e ka konstatuar ai që ka qenë i interesuar për të ndjekur punën tonë të përditshme për të goditur çdo ndërtim pa leje në qytetin e Tiranës. Ky aksion do vijojë edhe në ditët e ardhshme deri sa edhe objekti i fundit do të goditet, i cili është ndërtuar pa leje brenda këtij territori. Ne kemi marrë listën e plotë të vetëdeklarimeve të bëra nga qytetarët e Tiranës këto muajt e fundit në bazë të ligjit të ri dhe do të vlerësojmë çdo rast të vetëdeklarimit për ta vendosur atë në kushtet e ligjshmërisë. Gjithashtu gjatë natës së mbrëmshme, ne kemi bllokuar disa mjete, pajisje dhe betoniere të cilat kanë shërbyer, për ndërtimet pa leje të objekteve përkatëse.
Gjej rastin t’ju bëj thirrje këtyre firmave të cilat disponojnë betoniere, pompa apo mjete të tjera që ne do të zbatojmë ligjin dhe do të kalojmë në sekuestro të këtyre mjeteve. Ne do të konstatojmë këto mjete pranë objekteve që po ndërtohen pa leje”- u shpreh Hoxha. Drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit, Florenc Hoxha ka përsëritur thirrjen e tij ndaj deputeteve dhe eksponentëve të lartë të Partisë Socialiste që të mos nxisin qytetarët për të ndërtuar pa leje. “Gjej rasti për t’i bërë thirrje disa deputeteve të Partisë Socialiste që të mos nxisin qytetarët për të ndërtuar pa leje. Gjithashtu u bëj thirrje këtyre individëve të mos nxisin qytetarë të caktuar të ushtrojnë dhunë apo të mbrojnë individët që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të inspektoratit gjatë kryerjes së detyrës shtetërore”- tha Hoxha.
Lidhur me dhunën e ushtruar një ditë më parë ndaj inspektorit të Inspektoratit Ndërtimorë, Hoxha tha se menjëherë inspektorati ka bërë kallëzimin përkatës në komisariatin Nr.4, ndaj personit që goditi me mjete të forta inspektorin.
Lidhur me ngjarjen e djeshme ku u dhunua në krye të detyrës inspektori i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Bashkia e Tiranës ka dënuar dhunën e ushtruar ndaj inspektorit të Inspektoratit Ndërtimore Urbanistik A.D. Inspektori është dhunuar me mjete të forta gjë që është vërtetuar dhe nga ekspertiza mjeko-ligjore, ndërsa ishte në krye të detyrës, duke prishur një ndërtim pa leje. Menjëherë inspektorati ka bërë kallëzim penal në komisariatin nr.4 në Tiranë, i cili ka ndaluar dhunuesin e inspektorit. Bashkia e Tiranës u bën thirrje eksponentëve të PS të qëndrojnë larg akteve të dhunës dhe të mos i motivojnë ato. Asnjë presion politik nuk do ta ndalë punën e Bashkisë në mbrojtje të ligjit.