Qeveria, Ilir Meta takim me 5 të vetët
Meta: LSI do lërë gjurmë në qeverisjen e vendit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka mbledhur sot 5 ministrat e LSI-së në kabinetin e ri. Takimi është zhvilluar në selinë e LSI-së dhe kanë marrë pjesë Nasip Naço i cili u përzgjodh si ministër i drejtësisë, Edmond Haxhinasto si ministër i Transporteve, Klajda Gjosha, ministre e integrimit, Edmond Panariti, ministër i bujqësisë dhe Lefter Koka, ministër i mjedisit. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Edmond Panariti e cilësoi takimin si kontruktiv duke theksuar se e ka njohur kreun e LSI-së me programin e tij si ministër i bujqësisë. Tema kryesore e takimit mes kreut të LSI dhe ministrave të zgjedhur mendohet të ketë qënë objektivat e qeverisë së re. Një javë më parë, kryeministri i zgjedhur Edi Rama u takua me ministrat e Partisë Socialiste, ndërsa munguan 5 ministrat e LSI, mungesë kjo që u justifikua me mungesën e ftesës dhe pushimet verore.
Prononcim i kreut të LSI, Ilir Meta
Pasi ka pritur në zyrën e tij 5 Ministrat e kabinetit të ri qeveritar, kreu i LSI Ilir Meta ka deklaruar se qeveria e re do të lërë gjurmë në efikasitetin dhe në arritjen e objektivave integruese të vendit. Meta tha se kabineti prej 19 Ministrash është një ekip i përbashkët me PS dhe nuk janë ekipe të ndara. Po ashtu Meta tha se LSI nuk është në kabinetin Rama i përfaqësuar në dikasteret që drejtoi gjatë koalicionit me PD, pasi sipas tij është parë e arsyeshme që të bëhet transparenca e kërkuar nga PS gjatë kohës që ishte opozitë.
...