E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti, investitorëve: Ligj të ri për sigurinë e pronës

 

Së shpejti qeveria do të hartojë një ligj të ri për sigurinë ndaj pronës. Deklarata është dhënë nga vetë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti gjatë konferencës së Shoqatës së investitorëve të huaj. Titujt e pronësisë kanë qenë gjithnjë një pikë e debatuar, pasi mungesa e tyre pengon investitorët e huaj të investojnë paratë e tyre në Shqipëri, por së shpejti qeveria do të ketë gati një ligj të ri për sigurinë ndaj pronës. “Ky ligj do të sigurojë rritjen e investimeve të huaja dhe sigurinë politike afatgjatë në vend”, theksoi ministri Prifti. Tërheqja e investimeve të huaja është e një rëndësie vendimtare për sigurimin e ritmeve të larta për zhvillimin dhe integrimin e vendit. “Kontributi Juaj në Shqipëri është i padiskutueshëm si një urë lidhëse në zhvillimin e dialogut ndërmjet biznesit dhe qeverisë. Kemi nevojë të dëgjojmë nevojat tuaja, të debatojmë për çështjet që ju prekin, në mënyrë që të mundemi të bëjmë politika ekonomike sa më efektive. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë reformash në favor zhvillimit të biznesit dhe investimeve”, është shprehur ai. Edhe pse vendet e zhvilluara të Evropës janë prekur nga kriza ekonomike gjatë kësaj periudhe, Shqipëria po zhvillohet falë tërheqjes së investimeve të huaja të përmasave të mëdha. "Tani fokusi ynë kryesor do të përqendrohet në tërheqjen e 'green field' investments, duke zhvilluar më tej skemat e partnershipit publik - privat dhe drejt zhvillimit të zonave ekonomike dhe parqeve industriale", ka thënë ministri. Qeveria ka shpallur krijimin e 6 parqeve industriale, ku me ngritjen e tyre jo vetëm do të ndikojë në rritjen e vlerës së IHD, por industritë e instaluara në këto parqe, do të ndikojnë në rritjen e punësimit  dhe prodhimit për eksport.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›