Pagat e magjistratëve, Gjykata Kushtetuese: Vendimi është i detyrueshëm për zbatim

TIRANË, 7 shtator/ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me diskutimet publike për pagat e magjistratëve, duke rikujtuar se për këtë çështje është shprehur më herët përmes vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026.
Në një njoftim zyrtar, Gjykata Kushtetuese thekson se përmes këtij vendimi është përcaktuar standardi kushtetues i zbatueshëm, si edhe detyrimet që burojnë prej tij për autoritetet përgjegjëse.
“Arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit përbëjnë qëndrimin zyrtar të Gjykatës për çështjen e shqyrtuar dhe, për rrjedhojë, ato duhet të lexohen e të zbatohen në tërësinë e tyre, në përputhje me parimet kushtetuese të përcaktuara në të”, thuhet në njoftim.
Gjykata rithekson se vendimet e saj janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, duke nënvizuar se respektimi dhe zbatimi i tyre përbën një kërkesë të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues dhe lidhet ngushtësisht me parimin e shtetit të së drejtës dhe sigurisë juridike.
Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese sqaron edhe çështjen e mënyrës së përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e saj të brendshëm.
Sipas saj, mënyra e përllogaritjes dhe ekzekutimit të pagave në administrimin e brendshëm të Gjykatës, në varësi të fondeve buxhetore në dispozicion, nuk mund të interpretohet si përcaktuese për efektet juridike të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026, dhe as për detyrimet që ky vendim u sjell autoriteteve përgjegjëse për zbatimin e tij.
Gjykata Kushtetuese nënvizon se arsyetimi dhe dispozitivi i vendimit duhet të merren në konsideratë së bashku dhe të zbatohen në përputhje me standardet kushtetuese të përcaktuara prej saj.
/e.i/a.f/