E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e reja për stafet mjekësore në spitale

10/06/2009  ISKSH nis zbatimin e vendimit të qeverisë, përfitojnë 11 888 mjekë dhe infermierë

Shefat e shërbimeve përfitojnë rritjen maksimale, 12-13 mijë lekë, sipas postit të punës

Detajohet skema e rritjes së pagave për personelin shëndetësor të spitaleve. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore tashmë ka dërguar në drejtoritë rajonale vendimin me masat përkatëse të rritjes që do të përfitojë secila kategori sipas postit në të cilin ndodhen. Rritja, sikurse parashikohet në vendimin e qeverisë, shtrin efektet e saj që nga data 1 maj. Sipas ndarjeve të përcaktuara, pohohet se pagat e mjekëve në të gjitha spitalet pësojnë një rritje nga 19 për qind deri në 26 për qind, çka do të thotë se pagesës mujore do t’i shtohen jo pak, por 5 mijë në 13 mijë lekë të reja, sipas kategorizimit të profesionit të mjekut.

Përfitimi

Shefat e shërbimeve më të frekuentuara duket se do të jenë më fatlumët e përfitimit nga vendimi përkatës. Bazuar në këtë të fundit, rritjen më të lartë e përfitojnë shefat e shërbimeve të reanimacionit, kirurgjisë, radiologjisë, neuropsikiatrisë (24-26 për qind). Për këtë shtresë pagës mujore do t’i shtohen jo pak, por 12000-13000 lekë, sipas ndarjes së shërbimit që ofron përfituesi. Ndërsa për sa u përket mjekëve, rritja e përcaktuar do të shkojë nga 19-22 për qind të pagës aktuale me të cilën trajtohen. Konkretisht, këtë rritje do ta përfitojnë mjekët infeksionistë, të urgjencës, të laboratorit, onkologët, kirurgët, hematologët, obstetër gjinekologët, për të cilët paga mujore do të shtohet me 6000 lekë deri në 9000 lekë në muaj. Në këtë mënyrë, duke filluar nga 1 maji i këtij viti, paga bruto e një mjeku me vjetërsi pune 25 vjet nuk do të jetë më vogël se 50000 lekë në muaj nga 41000 lekë në muaj që ka qenë më parë. Gjithashtu rritjet janë bërë veçanërisht në pagën për pozicion të vendit të punës, të cilat nga 23 800 lekë që kanë qenë aktualisht arrijnë në 31000 lekë në muaj ose 7200 lekë më shumë. Njëkohësisht një rritje prej 9 për qind ka pësuar edhe paga e grupit, e cila shkon në 12 000 lekë në muaj si masë totale. Për rrjedhoje një rritje prej 9 për qind ka pësuar edhe paga për vjetërsi shërbimi (për çdo vit pune). Nga kjo rritje do të përfitojnë 1800 mjekë, ndërsa efektet financiare mujore arrijnë në nivelin e 15 milionë lekëve ose deri në mbyllje të këtij viti në shifrën e 110 milionë lekëve.

Personeli tjetër

Gjithashtu pagat e personelit infermier pësojnë një rritje mesatarisht 10 për qind. Pagat e infermiereve me arsim të lartë me vjetërsi pune 25 vjet sipas skemës së re arrijnë në 37 500 lekë në muaj, ndërsa të atyre me arsim të mesëm arrijnë në 34 000 lekë në muaj bruto. Për këtë kategori rritja shkon nga 2500 lekë deri në 3100 lekë në muaj. Ndërsa pagat e kryeinfermiereve pësojnë një rritje (10-12 për qind), në muaj ose nga 3600 lekë bëhen 4500 lekë. Po kështu pësojnë rritje deri në 10 për qind pagat e personelit tjetër ndihmës dhe të administratës. Nga këto rritje përfitojnë rreth 10 000 punonjës (infermierë, administrata) me një efekt financiar mujor rreth 30 milionë lekë, ose deri në fund të vitit 2009 rreth 210 milionë lekë. Në total efektet financiare deri në fund të vitit 2009 nga zbatimi i vendimeve të mësipërme (paga + sigurime shoqërore e shëndetësore) arrin në rreth 385 milionë lekë, efekte të cilat do të përballohen nga buxheti i ISKSH-së i vitit 2009 i parashikuar për mbulimin e shërbimit të kujdesit spitalor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›