E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia liberalizon vizat për disa kategori

10/06/2009  Konsullata greke lehtëson studentët, gazetarët, biznesmenët, mjekët dhe akademikët

I vetmi kusht është pajisja me pasaportë biometrike. Nisin aplikimet

GJIROKASTËR - Disa kategori të caktuara si studentët, gazetarët, biznesmenët, akademikët, mjekët, etj, do të mund të pajisen me viza shengen afatgjatë pa paguar asnjë vlerë monetare, pasi konsullata e përgjithshme greke në Gjirokastrës, ka nisur të zbatojë nga fillimi i këtij muaji marrëveshjen e liberalizimit të vizave për disa kategori të caktuara. Burime zyrtare nga konsullata e përgjithshme greke në Gjirokastër thanë të mërkurën se “ky shërbim ka ardhur si rezultat i marrëveshjes dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve që aderojnë në Komisionin Evropian”. Sipas tyre, këto kategori do të përfitojnë lehtësimin e regjimit të vizave pasi të jenë pajisur me pasaportë biometrike. “Deri tani kanë përfituar nga ky lloj shërbimi mbi 50 shtetas shqiptarë që banojnë në jug të vendit”, saktësuan burimet. Sipas burimeve zyrtare të konsullatës, personat që do të përfitojnë nga marrëveshja e lehtësimit të regjimit të vizave duhej të paraqesin një vërtetim nga institucioni ku ata punojnë ose studiojnë, një kërkesë nga personi i interesuar, certifikatë personale dhe familjare dhe të jenë të pajisur domosdoshmërish me pasaportën biometrike. Për këtë arsye mësohet se shumë shtetas kanë filluar aplikimin për pasaportë biometrike me qëllim që të përfitojnë nga regjimi i lehtësimit të vizave shengen nga konsullata greke në Gjirokastër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›