Civici: Efektet e krizës, në 6-mujorin e dytë
TIRANË- Treguesit më të qartë mbi pasojat reale që do të sjellë kriza ekonomike botërore për vendin tonë, pritet të shfaqen gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti.
Specialistë të fushës thonë se, megjithëse ekonomia shqiptare ishte e imunizuar nga ndikimet e drejtpërdrejta të krizës si pasojë e mosintegrimit të plotë në sistemin financiar ndërkombëtar gjatë fazës së parë të shfaqjes së saj, me shumë gjasa, nisur edhe nga zhvillimet ndërkombëtare vendi ynë do të përballet me pasojat në muajt në vazhdim. Adrian Civici, ekspert i ekonomisë, shprehet se, nisur nga eksperienca ndërkombëtare, ndikimet negative të krizës ekonomike janë përhapur në vendet që kanë marrëdhënie me ekonomitë e prekura, në formë ciklike që variojnë nga gjashtë deri në nënte muaj.
"Kriza filloi në SHBA, në vitin 2007, u transmetua në vendet evropiane në fund të vitit 2008. Bazuar edhe në eksperiencën botërore, pasojat reale të saj në vendin tonë, pritet të shfaqen gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti", thotë Civici, ndërsa e cilëson si të pavend vrullin e madh për realizimin e investimeve publike në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ndërkohë që tradita e viteve të shkuara ka treguar se pjesa më e madhe e tyre kryheshin në muajin dhjetor.
"Investimet publike rezultojnë të jenë realizuar me 105 për qind deri në muajin qershor, pyetja është se çfarë do të bëjmë gjatë gjashtëmujorit të dytë",- tha ai gjatë një seance konsultimi mbi krizën ekonomike në botë dhe shfaqjes së pasojave të saj në Shqipëri.
Strategjia
Pas një analize të një pjese të mirë të burimeve të likuiditetit për ekonominë vendase, siç janë dërgesat e emigrantëve dhe të ardhurat nga privatizimet e kompanive strategjike, anëtari i Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë shprehet se tashmë ka ardhur koha për të kërkuar strategji të reja për zhvillimin e vendit.
"Të gjitha ndërmarrjet e mëdha me kapital shtetëror janë privatizuar, kështu që në të ardhmen nuk do të kemi ku të gjejmë qindra miliona euro për të mbushur buxhetin e shtetit, siç është bërë deri më tani.
Po ashtu, praktika ndërkombëtare ka treguar se pas një periudhe 15- vjeçare, dërgesat e emigrantëve në vendin mëmë kanë prirje të ulen për shkak se këta të fundit fillojnë të ndërtojnë jetën e tyre në vendet ku punojnë.
Vetëm për këtë vit dërgesat e emigrantëve shënojnë një rënie me 300 deri 400 milionë euro",- tha ai, duke shtuar se duhen parë mënyrat dhe gjetur rrugët se si të mbushet ky boshllëk i përvitshëm në buxhetin e shtetit. "Ne duhet të përcaktojmë qartë se cili do të jetë motori ynë i zhvillimit në vitet në vazhdim, pasi sipas parashikimeve lidhur me të ardhurat e emigrantëve, duke filluar nga 2010-a, do të kemi vazhdimisht 500 milionë euro më pak në buxhetin e shtetit", përfundoi ai.
Shqipëria, pa model të qartë ekonomik
TIRANË- Sipas Civicit, qeveritë pas pluralizmit nuk kanë ndjekur një model të qëndrueshëm ekonomik. Ai thotë se prej njëzet vitësh vërehet një përzierje e disa formave të kapitalizmit në vend duke mos u mbështetur tek një i vetëm. "Në botë ekzistojnë disa forma të kapitalizmit, është ai që aplikohet në Gjermani, ku taksat janë të larta, por edhe shërbimet e ofruara nga shteti janë të shumta, është ai Anglo-Sakson, ku shteti të takson pak, por ofron më pak shërbime dhe pjesën tjetër e gjen tek privati, etj.
Në vendin tonë, gjatë gjithë këtyre viteve nga njëra anë është premtuar ulje taksash, çka i përket sistemit Anglo-Sakson, ndërsa nga ana tjetër premtohen rritje të shpenzimeve të shtetit për shërbime, një tregues i sistemit që aplikohet në Gjermani. Një praktikë e tillë realisht është e pamundur të realizohet.
Kjo pastaj shoqërohet me një rritje të borxhit të jashtëm dhe të brëndshëm. Në stadin që është ekonomia shqiptare duhet që të ndjekim një sistem të caktuar për të pasur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik ",- u shpreh Civici.