E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambientalistët: Projekti i TEC-it, i mangët

Sipas tyre, reduktimi i CO2 me një metodë që aktualisht është në fazë eksperimentale në botë


Ekspertët kanë hartuar 25 pika, ku tregojnë mangësitë që shoqërojnë vlerësimin për mjedisim


Ndërtimi i një termocentrali që do të prodhojë energji elektrike me qymyr nga kompania italiane ENEL ka hapur debate të forta në vend. Ambientalistët e Eko-Lëvizjes, pas analizës që i kanë bërë projektit teknik dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis që është bërë si pjesë e projektit për ndërtimin e TEC-it, kanë nxjerrë 25 pika, ku nxjerrin në pah të metat e këtij vlerësimi.


Në analizën e tyre ata thonë se ky projekt vlerësohet më i miri përsa i përket ndikimeve social-ekonomike dhe ambientale, pa bërë krahasime realiste. Ndër pikat që ambientalistët i konsiderojnë të mangëta përfshihet edhe keqinterpretimi që sipas tyre, i është bërë Strategjisë Kombëtare për Energjinë.


"Strategjia Shqiptare për Energjinë keqinterpretohet për të justifikuar zhvillimin e impianteve fuqi- djegëse të qymyrit në Shqipëri. Strategjia Shqiptare për Energjinë duhet të ishte analizuar dhe interpretuar në mënyrën e duhur. Gjithsesi, Strategjia është interpretuar në një mënyrë të njëanshme.",- thuhet në përmbledhjen e ambientalistëve.


Ndotja


Përfaqësuesit e "Ekolëvizjes" pretendojnë se metoda e planifikuar për t'u përdorur në këtë projekt për reduktimin e dioksidit të karbonit është e pasaktë.


"Ka një tentativë mashtrimi që në Porto Romano TEC do të zbatohet kapja dhe izolimi i CO2 me anë të CCS me qëllim reduktimin e CO2 të gjeneruar. Sidoqoftë është i pasaktë supozimi komercial që kjo teknologji do të implementohet shpejt nëpër botë, dhe jo vetëm në Porto Romano",- thonë ata në analizën e tyre.


Sipas ambientalistëve, "kapja dhe trajtimi i CO2" është i rremë, pasi nuk ka ende aktualisht një metode të kapjes dhe trajtimit të CO2. "Para së gjithave, teknologjia CCS është ende në fazë eksperimentale, dhe ekziston një mëdyshje nëse kjo është thjesht marketing apo do të jetë e zbatueshme realisht",- thonë ata.


Ambientalistët pretendojnë se në përmbledhjen e projektit dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, nuk është prezantuar asnjë masë për të përballuar mbrojtjen e tokës nga ndotja e qymyrit të depozituar.


"Masa finale, e përmbajtjeve kimike dhe destinacioni final i ujërave, llumrave dhe tepricave kimikate duhet të bëhet prezente në raport. Në përshkrimin përkatës, është e pamundur të njihen karakteristikat e sasive kimikate të ujërave ndotës dhe llumrave, sikur edhe vendndodhjen e grumbullimit të mbetjeve llumra të lëngëta. Mbetja e trajtimit të ujërave thuhet që do të bëhet në det, por në një vend të pa përcaktuar.


Për shkak të një përshkrimi të varfër të procesit është e pa mundur për gjithsecilin të parashikojë impaktet, duke mos përcaktuar gjithashtu masat lehtësuese.",- citohet në përmbledhjen e bërë nga "Ekolëvizja". Problem tjetër sipas tyre janë edhe mbetjet e hirit që do të dalin pas djegies së qymyrit.


Pas analizës që i kanë bërë vlerësimit të projektit, ambientalistët thonë se kapja e hirit dhe sistemi i trajtimit nuk përmban një informacion të mjaftueshëm me qëllim matjen e impaktit të hirit. "Nuk ka matje të gjenerimit mujor të hirit të prodhuar nga funksionimi i TEC-it, as edhe përcaktimi i riskut në përfundim të procesit.


Përcaktohet vetëm që hiri mund të zhvendoset me mjete dhe të transferohet më anë të një shiriti transportieri në anije. Risku nga hiri nuk është i përcaktuar këtu.


Kjo tregon që hiri mund të shkarkohet gjithandej. Plani i menaxhimit të mjedisit duhet të paraqesë saktë destinacionin përfundimtar duke marrë parasysh edhe riskun që vjen si pasojë e transportimit",- thuhet në përmbledhjen e ambientalistëve


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›