Pagesat e larta, gjykatat shqiptare paditen në Strasburg
Një grup avokatësh shqiptarë po kërkon të sfidojë pagesat e gjykatave shqiptare përmes një peticioni të dërguar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sipas Balkan Insight, çështja e depozituar në emër të një të papuni, argumenton se pagesat që aplikohen nga gjykatat shqiptare janë shumë të larta.
Pagesa për pullën e gjykatës është 12 mijë lekë të reja (86 euro). Një i papunë në Shqipëri fiton 6500 lek në muaj (47 euro). Kështu rreth 140 mijë shqiptarëve u mohohet aksesi në sistemin e drejtësisë, thotë Andi Kananaj, avokat i qendrës ligjore Res Publica.
Sipas INSTAT Shqipëria ka 13.3 përqind të papunë ose rreth 140 mijë. Por shumë organizata ndërkombëtare që monitorojnë vendin tonë thonë se papunësia është tek 30 përqind.
Sipas një vendimi të Ministrisë së Financave dhe asaj të Drejtësisë në mars të vitit 2010, paditë nuk pranohen nëse nuk paguhet shuma e 12 mijë lekëve të reja.