Parlamenti të votojë ndryshimet e propozuara nga ekspertët e Brukselit
Kodi Rrugor, flet eksperti Shkëlzen Aliaj: “Masa të ashpra ndaj drejtuesve të mjetit që shkelin rregullat e qarkullit“
Policia rrugore propozoi kohë më parë katërfishimin e të gjitha gjobave që lidhen me tejkalimin e shpejtësisë, mos vendosjen e rripit të sigurimit dhe drejtimit të makinës në gjendje të dehur. Masa që sipas kreut të policisë rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Shkëlzen Aliaj do të ndërmerren në ndryshimin në Kodin Rrugor. Ai bën publike disa prej masave që parashikojnë amendimet për disa drejtues mjetesh që shkelin rregullat, që pikësëpari kanë lidhje me kulturën e drejtimin e mjetit. “Në analizën e situatës aksidentale në vendin tonë rezulton që është e domosdoshme ndërhyrja në Kodin Rrugor. Nenet në të cilat ne i kemi propozuar Kuvendit bashkë më Ministrinë e Transporteve është ndërhyrja në kapitullin e normave të sjelljes. Vlen t’i përmendim: nenet e kodit rrugor për shpejtësinë, për kaskat mbrojtëse, për vendosjen e rripit të sigurimit, për drejtimin e mjetit nën ndikimin e alkoolit. Të gjitha këto nene krahas penaliteteve që do ketë në masat plotësuese ku futet leja e drejtimit dhe leja e qarkullimit si dhe të gjitha dokumentet e tjerë që shoqërojnë mjetin do ketë rritje të ndjeshme të vlerës së gjobës në lekë” – thekson Aliaj. Sipas tij, këto janë dhe shkaqet kryesore që kanë çuar në shënimin e aksidenteve më të rënda. Ndryshimet në kod sipas tij do të çojnë edhe në minimizimin e aksidenteve rrugore. Ndryshimet në kod kërkojnë shumicë të cilësuar votash për miratimin e tij final në parlament. “Në qoftë se deri tani kemi operuar me lejen e drejtimin në shkallën e penalizmit një muaj, tre muaj, gjashtë muaj, një vit për shkeljen e shpejtësisë të pijes alkoolike. Njëkohësisht kjo shkelje e penalizon shumë drejtuesin e mjetit, njëkohësisht na ka rezultuar që nuk çon shumë ndjeshëm në rritjen e koeficientit të sigurisë rrugore. Për ekspertin e sigurisë rrugore është e nevojshme të aplikohet edhe dënimi me pikë duke ashpërsuar masat ndaj shkelësve të rëndë të qarkullimit. Sipas Aliajt është emergjente që parlamenti të votojë këto ndryshime në kodin rrugor. Ai i referohet vendeve të huaja duke arsyetuar se ndryshimet në këtë kod duhet të jenë permanente. “Pavarësisht se Kodi Rrugor është një ligj perëndimor një ligj shumë cilësor, qoftë Spanja, qoftë Italia, Bullgaria, Çekia kanë ndërhyrë në mënyrë permanente në përmirësimin e këtyre neneve”- thekson eksperti rrugor Shkëlzen Aliaj.
...