E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK anulon prishjen e koalicionit me LDK-në

PRISHTINE- Partia Demokratike e Kosovës ka anuluar prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, në nivel qendror. PDK, ka lëshuar një komunikatë për media, ku ndër të tjera thekson se, kjo parti “mbetet fuqimisht e përkushtuar për stabilitetin funksional të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës dhe procesin e shtetndërtimit”. “Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të lira, demokratike dhe me gjithëpërfshirje, nuk do tw mund të ndikojnë në funksionimin e mirë të institucioneve qendrore: Parlamentit, Presidentit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë. Partneriteti i koalicionit në nivel qendror sipas komunikatës së PDK-së “mbetet i konsoliduar dhe i pacenueshëm e funksional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe marrëveshjen e koalicionit deri në zgjedhjet nacionale të vitit 2011”. “PDK do të vazhdojë përkushtimin në filozofinë e shtetndërtimit dhe unitetit në prag të procesit të Republikës së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe pritjes së njohjeve të reja dhe proceseve integruese euro-atlantike”, përfundon komunikata e PDK-së.
(s.g/telegrafi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›