E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagezohen me emrin e 100 vjetorit tuneli Tirane-Elbasan autostrada Levan-Vlore

Kryeministri, Sali Berisha mblodhi mbrëmjen e sotme Komitetin për 100 vjetorin e Pavarësisë, ku vlerësoi si mjaft të rëndësishëm faktin se ky vit nxjerr në pah të vërtetat historike. 
“Mirënjohje të thellë ndaj qytetarëve, studiuesve, personaliteteve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë e kudo, për angazhimin, përkushtimin e  tyre në nderimin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Në vitin e të vërtetave historike”, vuri në dukje Berisha. 

Gjatë fjalës së tij në këtë komitet kreu i qeverisë shqiptare i mëshoi faktit se pavarësisht botimeve të shumta mbi historinë 100 vjeçare për Shqipërinë, si nga autorë vendas ashtu dhe të huaj, sërish shiqptarët kanë nevojë për të vërtetat historike. 
“Për dekada na ka shoqëruar një histori e falsifikuar. Historia dhe të vertetat zënë një vend të veçantë. Historia dhe politika janë një binom i pandarë. Njëra përshkruan dhe tjetra është doktrinë e veprimit universal, por janë të pazgjidhshme me njëra-tjetrën. Ky vit ka qenë vit i debatit për të vërtetat historike. Vit i nxjerrjes në piedestal i të vërteave historike. Studiues të ndryshëm kanë shkruar kryeveprën e llojit të vet, për këto 100 vite të fundit, kanë bërë botime autorë të huaj dhe vendas, të cilat kanë rrëzuar malin e historisë hoxhiste. Ne kemi nevojë për historinë tonë të vërtetë”, deklaroi Berisha.  

Ndërkohë që në këtë takim, Kryeministri Berisha sqaroi dhe lidhur me debatin e lindur së fundmi për një rivalitet mes Tiranës dhe Vlorës për kremtimet për 100 vjetorin e Pavarësisë. 
“Rivaliteti mes Vlorës dhe Tiranës nuk ekziston, pasi kremtimet e 100 vjetorit do të kryhen si në Vlorë dhe në kryeqytet. Për fondet, nuk them se ka pasur fonde të mjaftueshme, por bashkisë së Vlorës i janë dhënë fonde dyfish më shumë se ajo e Tiranës. Protokolli ka përcaktuar koncert të madh dhe miting të madh në 27 në darkë në Vlorë. Me 28 nëntor Presidenti i Republikës do të ngrejë flamurin në mëngjes dhe pastaj kremtimet do të vijojnë në kryeqytet”, nënvizoi Berisha, lidhur me një çështje të tillë.  

Sipas Berishës, ky një 100 vjetor është arritje e shqiptarëve. Megjithatë, në vlerësimin e Kryeministrit, është i domosdoshëm monumenti i të rënëve në Kosovë, i cili të jetë i përfunduar deri në qershor të vitit që vjen. Ashtu sikurse është i nevojshëm një panteon për vendin dhe një monument për autorin e himni kombëtar për këtë figurë të shquar. 
Por ndër këto propozime nuk mungoi dhe propozimi për pagëzimin e autostradës Levan-Vlorë dhe tunelin Tiranë-Elbasan me emrin 100 vjetori i Pavarësisë. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›