E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy aksidente fatale, një person i vdekur dhe katër të plagosur



TIRANË - Dy aksidente kanë ndodhur në rrugën, Tiranë-Durrës dhe Fushë-Krujë-Vorë, me pasojë vdekje e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve. Aksidenti më i rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë. Sipas informacioneve një makinë është përplasur me një trajler dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtatasi Viktor Preza ndërsa nuk bëhen të ditur emrat e të plagosurve. Mësohet se të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin e Krujës dhe më pas dy prej tyre janë dërguar në spitalin Ushtarak në Tiranë pasi gjendja e tyre ishte e rëndë. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit por policia ndodhet në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ndërkaq gjatë orëve të natës, duke gdhirë dita e djeshme një 34-vjeçar nga Tirana, me banim në Zelandën e Re është plagosur mbrëmjen në Durrës, pasi u përplas nga një motor. Policia tha se shtetasi me iniciale E. B., po udhëtone në këmbë në lagjen Nr. 13 në Durrës, pranë sektorit Hekurudha, në kohën kur u përplas nga motorri tip Kavasaki që drejtohej nga një 18-vjeçar. 34-vjeçari ka marrë një goditje të fortë dhe për pasojë pësoi plagë të rënda. Ai u dërgua fillimisht në spitalin civil të Durrësit, ku mori ndihmën e parë shëndetësore. Por gjendja e 34-vjeçarit u përkeqësua, dhe gjatë natës, ai u dërgua për në spitalin ushtarak të Tiranës, ku po merr ndihmë më të specializuar mjeksore. Burime nga spitali ushtarak thanë se 34-vjeçari ndodhet në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën. Për aksidentin policia vuri në pranga 18-vjeçarin me iniciale L, D. Ai akuzohet për shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim mjeti pa dëshmi.

Del makina jashtë rruge, plagosen dy adoleshentë

LEZHË - Shpejtësia tej normave të lejuara ka shënuar një tjetër aksident automobilistik në rrugën pranë fshatit turistik Tale në Lezhë, por fatmirësisht pa viktima. Aksidenti automobilistik u shënua dje rreth orëve të pasdites, në aksin rrugor dytësor Hidrovor -Tale, në fshatin Tale, të rrethit të Lezhës. Sipas policisë ka qenë vetë drejtuesi i automjetit tip Alfa Romeo me targë AY190LP, 15-vjeçari E.Gj., banues në fshatin Shënkoll të Lezhës, i cili pasi ka humbur kontrollin e makinës ka dalë nga rruga duke përfunduar në kënetë. Policia njofton ndërkaq se gjatë aksidentit është vetëaksidentuar drejtuesi i mjetit si dhe 17 vjeçari me iniciale P. C., banor në fshatin Tale, i cili ishte pasagjer në automjetin Alfa Romeo. Dy të lënduarve u është dhënë ndihma e parë në spitalin rajonal të Lezhës, ndërsa pasagjeri i makinës 17-vjeçari P. C., duke qenë se kishte pësuar plagë më të rënda u dërgua në Spitalin Ushtarak në Tiranë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia e Lezhës nis hetimet për aksidentin e shkaktuar nga drejtuesi i automjetit, i cili tashmë është paditur për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Kreu i qarkut: “Aksidentet, masa të rrepta për shmangien e tyre”

LEZHË - Shmangia e aksidenteve ka sjelle masa drastike ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Autoriteti i cili përcakton masat ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit është këshilli i qarkut. Bardh Rica, kryetar i qarkut Lezhë tregon se tolerance ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor do të jetë zero. Rica thotë se kjo është një masë për të mbrojtur jetën. Sipas Ricës, tejkalimi i shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve nuk ka asnjë justifikim, dhe këshilli i qarkut nuk do të bëjë asnjë lëshim.Sipas të dhënave nga qarku i Lezhës deri tani janë kryer rreth 75 praktika vendimesh ndaj kundravajtësve.

22 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›