Kontrollet e policisë, gjenden të mbjella 56 bimë Cannabis
LEZHË - Të mbjella në brendësi të pyllit janë gjetur 56 bimë të dyshuara si Cannabis Sattiva në fshatin Vilëz, të rrethir të Kurbinit. Bimët narkotike u gjetën si pasojë e aksioneve të ethshme të policisë së shtetit për shfarosjen e bimëve narkotike nga tokat ku janë mbjellë dhe kapjen e fshatarëve. Policia e Lezhës bën të ditur se bimët e dyshuara si Cannabis Sattiva u gjetën dy ditë më parë rreth orëve të pasdites, gjatë kontrollit të ushtruar nëpër trojet e fshatit Vilëz, që i përket bashkisë së Mamurrasit në rrethin e Kurbinit. 56 bimët e gjetura kanë një lartësi nga 1.2-1.9 metra. Konkretisht policia thotë se bimët u gjetën në brendëesi të një pylli të dendur me degë pemësh dhe shkurresh, një vend i denjë për të fshehur gjurmët e bimëve të paligjshme nga sytë e policisë. Të 56 bimët janë sekuestruar si bimë narkotike, dhe policia i ka dërguar ato për ekzaminime të mëtejshme që të vërtetohet lloji i tyre. Por, duke qenë se bimët narkotike ishin mbjellë në një pyll të dendur, policia e ka të vështirë të identifikojë fshatarët kultivues të bims së paligjshme. Tashmë policia po punon intensivisht për gjetjen e autorëve dhe arrestimin e tyre. Ndaj kultivuesve prokuroria e Kurbinit ka ngritur akuzën penale të kultivimit të bimëve narkotike.
Plagosi punonjësin e OSSH, në kërkim 39-vjeçari
PUKË - Plagosja e punonjësit të OSSH ka bërë që policia të shpallë në kërkim nj 39-vjeçar. Burime zyrtare nga policia kanë bërë të ditur se, kanë identifikuar autorin e plagosjes së 48 vjeçarit M. Përdoda, dhe e ka shpallur atë në kërkim. Autori i kësaj plagosjeje me dashje është 39-vjeçari Nikollë Marku. Sipas burimeve nga policia e Lezhës, dy ditë më parë në orën 17.00, në fshatin Domë, të Komunës Gjegjan të Pukës, Nikollë Marku ka qëlluar më armë zjarri ndaj 48-vjeçarit, Perdoda duke e plagosur atë. M. Përdoda, banor i fshatit Domë, pasi është gjetur i plagosur është dërguar menjëherë në spitalin e Pukës, ku dhe mori ndihmën mjekësore. Përdoda gjatë plagosjes ka pësuar dëmtime në njërën këmbë, por dëmtimet janë pa rrezik për jetën e tij. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Pas identifikimit të autorit Nikollë Marku, policia e Lezhës po punon intensivisht për kapjen e tij dhe arrestimin. Nikollë Marku akuzohet nga prokuroria e Pukës, për verprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje” dhe për “armëmbajtje pa leje”.
Kapet i riu, mbante në brez një pistoletë “Zastava”
LEZHË - Një i ri është vënë në pranga pasi akuzohet për armëmbajtje pa leje. Policia e Lezhës ka bërë të ditur se, 23-vjeçari, i quajtur Arjon Vila, banor në fshatin Balldre të Lezhës është arrestuar rreth mesditës së dy ditëve më parë, në një lokal në fshat. Sipas policisë së qarkut të Lezhës, Vila, rreth orës 11:00 të së martës, është kapur në flagrancë në lokalin e shtetasit me iniciale M. M., në fshatin Balldre, pasi mbante në duar një pistoletë të tipit “Zastava”, me një krehër me pesë fishekë, armë të cilën e mbante pa leje. Materialet në ngarkim të Arjon Vilës i kanë kaluar Prokurorisë së Lezhës, për veprën penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Pranga të riut, nën akuzë për disa vjedhje në Tiranë
TIRANË - Dyshohej për disa vjedhje të kryera në kryeqytet, arrestohet autori. 25-vjeçari Albert Nuri Durma ka rënë në prangat e policisë së Tiranës, me akuzën e vjedhjes. Si është bërë e ditur nga burimet zyrtare të policisë, 25-vjeçari shtë ndaluar dy ditë më parë nga oficerët e policisë të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti, pasi Prokuroria e Tiranës pas hetimeve të kryera e kishte shpallur atë fajtor për disa vjedhje. Sipas policisë Albert Nuri Durma rezultoi të ishte autori i vjedhjes me thyerje në Petrelë të stacionit (Antenat) i kompanisë Vodafon. Ndër të tjera ai dyshohet të ketë vjedhur edhe automjetin furgon me targa LU 6376 B, në pronësi të një shtetasi. Policia e Tiranës po vijon hetimin dhe dokumentimin e vjedhjeve të kryera nga 25 vjeçari Albert Durma.
22 Korrik 2010